Transmetuar më 25-11-2022, 15:35

Ronaldo nuk ishte i pranishëm në Brazil-Serbi, mbrëmjen e djeshme. Ishte Covid-19, ai që e ndaloi  "Fenomenin" të ishte në stadium. Ish-sulmuesi i shquar brazilian rezultoi pozitiv në orët e fundit dhe kjo e detyroi të izolohej në dhomën e tij të hotelit në Doha.

Vetë ish-fituesi i "Topit të Artë" dhe Kupës së Botës e bëri të ditur në rrjetet sociale, duke shpjeguar se iu nënshtrua një tamponi të posaçëm, pasi kishte pasur simptoma si të ftohjes qysh natën. Ai tani do të qëndrojë i izoluar për pesë ditët e ardhshme në dhomën e hotelit.

Ronaldo më pas shtoi: “Gjithsesi, gjithçka është në rregull. Edhe unë nga këtu do të bëj tifo për Brazilin”. "Fenomeni", kampion bote në vitet 1994 dhe 2002, tashmë 46 vjeç, ndodhet në Katar si “mysafir special” i FIFA-s.

Të dielën e kaluar mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Kupës së Botës dhe në ndeshjen inauguruese Katar-Ekuador, e cila përfundoi 2-0 për mysafirët.