Transmetuar më 25-11-2022, 13:26

"Tërmeti" te Manchester United nuk ndalet, pas ndarjejes me Cristiano Ronaldon dhe mbi të gjitha me familjen "Glazer", që njoftoi zyrtarisht se kishte shqyrtuar mundësinë e shitjes së klubit.

Pronarët aktualë janë shprehur se “do të marrin në konsideratë të gjitha alternativat strategjike”, ndaj shitja përfundimtare nuk është e përjashtuar. Pavarësisht kësaj, shumë të interesuar janë shfaqur për blerjen e "Djajve të Kuq" dhe çuditërisht mes tyre është David Beckham.

Siç raportohet nga "Financial Times", ish-mesfushori i Manchester United, Real Madridit, PSG dhe Milanit thuhet se është duke biseduar me disa investitorë potencialë të interesuar për klubin.

Familja "Glazer" e vlerëson klubin deri në 7 miliardë stërlina, me Beckham të pamundur për ta financuar blerjen i vetëm. Synimi i tij është shtimi i investitorëve të tjerë.

Historia e gjatë mes ish-kapitenit të Anglisë e Manchester United dhe afiniteti i tij me tifozët mund të luajë një rol vendimtar në suksesin e marrëveshjes.