Transmetuar më 25-11-2022, 11:39

Kush ka guximin të brohorasë dhe imitojë Ronaldon përballë Cristianos? Bukari i Ganës e bëri këtë. Sulmuesi shënoi me kokë golin për 3-2, i cili shkurtoi distancën me Portugalinë dhe riktheu shpresën në minutat e fundit te kombëtarja e Ganës.

Më pas ai festoi me bashkëlojtarët e tjerë duke bërë "Siuuu" e famshme të CR7. Ylli portugez, i ulur në stol atë moment, pa gjithçka dhe reagoi me një gjest bezdije, duke ngritur krahun dhe vështruar në drejtim të fushës, kushedi nëse për frustrimin e golit të pësuar apo për imitimin e "markës" së tij.

Kujtojmë se në minutën e 65-të, Ronaldo vendosi rekord botëror. Me penalltinë e shënuar ndaj Ganës, CR7 u bë lojtari i parë në histori që shënon në pesë edicione të ndryshme të Kupës së Botës. Ky ishte goli i 118-të në kombëtare për kampionin nga Funchal.