Transmetuar më 24-11-2022, 15:38

Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, shumë shqiptarë kanë zgjedhur të largohen nga vendi për të “festuar” 28 dhe 29 Nëntorin, dy ditët tepër të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Pikërisht në Ditën e Flamurit dhe 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë nga Perandoria Otomane Turke, qytetarët e vendin dynden edhe këtë vit drejt Turqisë për të “festuar”.

Në një sondazh nga “Monitor”, agjencitë e udhëtimeve kanë treguar se shqiptarët do të udhëtojnë jashtë për këto festa ndërsa si çdo vit, destinacionet më të kërkuara vazhdojnë të mbeten Stambolli dhe Budva.

Pak e çuditshme në mendimin e parë, që pikërisht në këto ditë të zgjedhim si destinacion Turqinë, kur mund ta zgjidhnim çdo ditë tjetër (s’kemi asgjë kundër saj)!

Megjithatë, pikërisht në këto ditë kaq të veçanta, do të ishte mirë të kujtohej historia! T’jua rikujtojmë pak?

Më 28 nëntor 1443 Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës.

Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Turke. Kjo ditë shënon pavarësinë e kombit shqiptar.

Pavarësia e Shqipërisë nga perandoria turke, mjerisht jo e të gjitha trevave shqiptare, u përgatit me vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbënore nga Malësia e Mbishkodrës, Mirdita dhe vende e vise tjera, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëhershme. U desh fillimi i Luftës së Parë Botërore dhe shkatërrimi i perandorisë së xhonturqve, që shqiptarët të kurorëzonin ëndrrën e viteve për një Shqipëri “më vehte, të lirë e të mosvarme”.

Për herë të parë, me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë, qyteti i Vlorës vjen me një ofertë: Të gjitha hotelet këto ditë do të kenë çmimin 25 euro nata dhe nëse rezervon dy net, për 28 nëntor mund të akomodohesh falas.

A s’do të ishte më mirë që në vend të Turqisë, këto ditë t’i festonim brenda territorit shqiptar?