Transmetuar më 24-11-2022, 07:26

Tema e shiritit të kapitenit të "One Love" luajti një rol menjëherë para fillimit të ndeshjes së parë të kombëtares gjermane në Kupën e Botës 2022, në Katar. Pasi FIFA ndaloi mbajtjen e shiritit si një mesazh diversiteti dhe tolerance, 11 lojtarët e formacionit startues bënë një “deklaratë në heshtje” të mërkurën.

Kur Manuel Neuer, Joshua Kimmich & Co. u rreshtuan për foton e ekipit, pas himneve në stadiumin “Khalifa International”, të njëmbëdhjetët mbuluan në mënyrë demonstrative gojën. “Nuk mund të na mbyllni gojën”, – supozohej të thoshte gjesti i drejtuar për FIFA-n.

Kjo e fundit kishte kërcënuar DFB-në dhe gjashtë kombëtare të tjera evropiane të përfshira me sanksione sportive nëse do të mbanin fashën “One Love” në Kupën e Botës. Në vend të kësaj, Neuer mbajti shiritin “No Diskrimination” kundër Japonisë, të siguruar nga FIFA.

"Me shiritin tonë të kapitenit, ne donim të jepnim një shembull për vlerat me të cilat jetojmë në ekipin kombëtar: diversiteti dhe respekti i ndërsjellë. Jemi zëlartë së bashku me kombet e tjera për të drejtat e njeriut. Nuk bëhet fjalë për një mesazh politik, të drejtat e njeriut janë të panegociueshme, – u shkrua menjëherë pas fillimit të ndeshjes Gjermani-Japoni në llogarinë e DFB në Twitter.

– Kjo duhet të jetë e vetëkuptueshme, por për fat të keq ende nuk është. Kjo është arsyeja pse ky mesazh është kaq i rëndësishëm për ne. Të na ndalosh të mbajmë shiritin e kapitenit ‘One Love’ është si ta kyçësh gojën tonë. Pozicioni ynë nuk ndryshon".

Federata Daneze e Futbollit, përmes drejtorit Jakob Jensen, tha të mërkurën se FIFA kishte kërcënuar "të paktën me një karton të verdhë". Presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, akuzoi FIFA-n se punon "me frikësim dhe presion".

Gjesti i lojtarëve të kombëtares gjermane nuk ishte i dukshëm në regjinë botërore televizive, për të cilën vendos FIFA në mënyrë editoriale dhe të cilën e vë në dispozicion të stacioneve televizive në mbarë globin. Përkundrazi, formacioni gjerman u shfaq ashtu në ARD, televizionin gjerman që përdor kamerat e veta shtesë në Katar.

Mbetet për t’u parë nëse do të pasojnë veprime të mëtejshme në Katar si reagim ndaj veprimeve të FIFA-s. Neuendorf kishte njoftuar bisedime të mëtejshme me federatat e përfshira. Përveç kësaj, DFB po shqyrton veprimet ligjore kundër ndalimit. Megjithatë, transmetuesi holandez NOS raportoi të mërkurën se shtatë federatat kishin rënë dakord të mos shkonin në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për Sportet (CAS), të paktën për momentin.