Transmetuar më 23-11-2022, 11:44

Pep Guardiola ka vazhduar kontratën me Manchester City. Klubi nga “Etihad” ka njoftuar se trajneri katalanas ka nënshkruar një kontratë të re 2-vjeçare me klubin, duke e mbajtur atë te kampionët e Premier League deri në vitin 2025. Guardiola iu bashkua City në vitin 2016, që do të thotë se ai do të jetë në këtë klub për 9 vite, kur t’i përfundojë kontrata.

Ndërkohë, “qytetarët” me Guardiolën në stol kanë një normë fitoresh prej 72.4%, ndërsa skuadra angleze  ka shënuar 921 gola të mahnitshëm nën drejtimin e tij. Ai ka fituar katër herë Premier League, si dhe një “FA Cup” dhe katër Kupa EFL.

Një trashëgimi e vërtetë, për ta thënë si britanikët, e destinuar për të vazhduar. Më saktësisht, deri në vitin 2025. Sipas mediave të ndryshme britanike, Manchester City kishte arritur tashmë një marrëveshje me Pep Guardiolën për rinovim 1-vjeçar të kontratës, por me një opsion në favor të të dyja palëve për një sezon të mëtejshëm. Sot erdhi zyrtarizimi 1+1.

Struktura kontraktuale për rrjedhojë rigjeneron atë të dy viteve më parë. Marrëveshja aktuale skadonte qershorin e ardhshëm dhe, me sa duket, pushimi për Botërorin ka shërbyer për të riafirmuar dëshirën për të vazhduar së bashku.

Tekniku spanjoll ndodhet në Abu Dhabi këto ditë, ku mori pjesë në ‘Grand Prix’ e fundit të Formula 1; skuadra do të udhëtojë gjithashtu atje javën e ardhshme për një përgatitore të shkurtër, përpara rifillimit të planifikuar të kampionatit anglez për më 28 dhjetor.

Guardiola mbërriti në pankinën e "Citizens" në vitin 2016 dhe me këtë zgjatje të fundit ai mund të arrijë nëntë sezone në "Etihad". Ky rinovim vjen me shpresën se në këtë periudhë mund të arrihet objektivi më ambicioz: Liga e Kampionëve.

Thashethemet për të ardhmen e tij nuk kanë qenë aq frenetike sa në vitin 2020, edhe sepse trajneri e kishte shprehur qartë besnikërinë e tij ndaj Manchester City në javët e fundit: "Unë nuk mendoj se do të qëndroja shtatë vjet në një klub tjetër. Është e vështirë ta gjej tjetër kund atë që kam.

Këtu jam shumë i mbështetur, pastaj qartësisht rezultatet ndihmojnë dhe është e pamohueshme. Në këtë klub kaq të rëndësishëm, një pjesë e suksesit të trajnerit i takon presidentit, drejtorit ekzekutiv dhe në veçanti drejtorit sportiv".