Transmetuar më 23-11-2022, 11:59

Një 23-vjeçare garon për të qenë kryebashkiake. Kejdi Spahiu ka prezantuar sot kandidaturën në primare për Bashkinë e Beratit.

Ajo tha se vendimin për t’u futur në primare e konsideron si pjesë të përpjekjes për të ndryshuar gjendjen ku vendi ynë ndodhet.

23-vjeçarja theksoi se problematikat në qytetin e Beratit janë të shumta duke filluar nga arsimi që është baza e zhvillimit, duke e vazhduar me lagje si “Vakëfi” apo “28 nëntori” të cilat i përkasin një Berati të lenë 100 vite mbrapa dhe rrugët në gjendje të mjerueshme.

MESAZHI I PLOTË Quhem Kejdi Spahiu 23 vjeçe dhe kandidoj për primaret e Partisë Demokratike për Bashkinë e Beratit.

Si e re shqiptare ndjej dhimbje kur e shikoj vendin tim në këtë gjendje.

Ndryshimi duhet filluar diku, nga vetja apo nga qyteti yt. Vendimin për t’u futur në primare e konsideroj si pjesë të përpjekjes për të ndryshuar gjendjen ku vendi ynë ndodhet. Mendoj se ka ardhur koha jo vetëm e përgjigjeve boshe, por e veprave. Prandaj vendosa të marr përsipër këtë detyrë dhe me fjalën detyrë nënkuptoj atë ndaj ndaj qytetarëve beratas.

I dimë plagët e Beratit: papunësia, largimi drejt kryeqyteti e sidomos vendeve të huaja dhe lufta e përditshme për të siguruar të nesërmen për veten dhe familjen.

Unë e dua qytetin tim, këtu linda dhe u rrita dhe këtu dua të japë gjithë kontributin tim. Problematikat në qytetin e Beratit janë të shumta duke filluar nga arsimi që është baza e zhvillimit, duke e vazhduar me lagje si Vakëfi apo 28 nëntori të cilat i përkasin një Berati të lenë 100 vite mbrapa dhe rrugët në gjendje të mjerueshme.

Shëndetësia është një tjetër shqetësim i madh: mungesa e mjekëve detyron çdo qytetar të drejtohet në spitalet private.

Dhe më kryesori, për një qytet si berati, është turizmi. E vetmja gjë e kohës sonë është pedonalja ndërsa 100 metra më larg kalon në mesjetë.

Me shpresën te fitorja dhe besimin në Zot, sot ndjej të nevojshme të kërkoj mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Beratit të ecim përpara së bashku, dhe duke bashkuar forcat ne do të jemi të pathyeshëm.