Transmetuar më 23-11-2022, 11:16

Lamtumira mes Cristiano Ronaldos dhe Manchester United ishte vetëm çështje kohe. E tashmë ka mbërritur edhe ndarja zyrtare mes palëve, ku njoftimi për mediat nga "Djajtë e Kuq" ka bërë të ditur marrëveshjen për zgjidhjen e kontratës.

CR7 i tha lamtumirë klubit nga "Old Trafford" për herë të dytë në karrierën e tij: "Kam rënë dakord me Manchesterin që të largohem herët nga ekipi. Unë e dua këtë klub, i dua të gjithë tifozët dhe gjithçka që ka ndodhur në javët e fundit nuk do t’i ndryshojë ndjenjat e mia. Ka ardhur koha e duhur për një sfidë të re personale. Iu uroj bashkëlojtarëve të mi suksese nga tani deri në fund të sezonit”.

LAMTUMIRA

Ishte në ajër dhe tani, dy ditë para debutimit të Portugalisë në Kupën e Botës, është zyrtare: "Marrëveshja konsensuale, Cristiano Ronaldo po largohet nga Manchester United me efekt të menjëhershëm. Klubi e falënderon atë për kontributin e jashtëzakonshëm në dy periudhat e tij në Old Trafford".

Pas përmbledhjes së numrave të portugezit në Manchester, 145 gola në 346 ndeshje, klubi i "Djajve të Kuq" shton në deklaratën për shtyp: “Të gjithë te Manchester United mbeten të fokusuar në vazhdimin e rritjes së ekipit nën drejtimin e Erik ten Hag. Do të punojmë së bashku për të arritur suksesin në fushë”.

Një votëbesimi për trajnerin holandez, i cili ishte përplasur me Cristiano Ronaldon. CR7 u rikthye në "Old Trafford" më 31 gusht 2021 me një "blitz" largimi nga Juventusi.

Në një vit dhe pak më shumë sa zgjati aventura e tij e dytë te Manchester United, ai ka shënuar 27 gola në 54 ndeshje, me një kulm prej 6 golash në 7 ndeshjet e luajtura në Champions League, sezonin e kaluar.

Golat e tij nuk mjaftuan për të shkuar më tej sezonin e kaluar se vendi i gjashtë në Premier League. Më pak se një muaj më parë, Ronaldo u pezullua tri ditë nga skuadra për shkak se refuzoi të hyjë si zëvendësues në minutat e fundit ndaj Tottenham. Publikimi i një interviste të portugezit ditët e fundit ishte paradhoma e lamtumirës nga "Djajtë e Kuq".