Transmetuar më 23-11-2022, 10:47

TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ndodhet në ambientet e selisë së Partisë Demokratike. Meta është duke u takuar me kryedemokratin, Sali Berisha brenda zyrës së këtij të fundit në selinë blu.

Fokusi i takimit mësohet se është protesta e 6 dhjetorit, e paralajmëruar nga vetë Berisha. Deri më tani, Meta nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë në protestë, mirëpo takimi i sotëm do zbulojë vendimin e tij.

Përcaktimi i 6 dhjetorit si data në të cilën do të mbahet protesta e rradhës e Partisë Demokratike ka nxitur reagimin e mazhorancës e cila e ka cilësuar një akt antieuropian. Për socialistët një protestë e tillë në ditën kur pritet të organizohet dhe samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ku do të vijnë krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor por dhe zyrtarë të lartë të BE-së, është e papranueshme. Ndërsa për Berishën, protesta do të jetë një formë respekti për krerët e Qeverive të Ballkanit Perëndimor.