Transmetuar më 23-11-2022, 07:43

Humbja kundër Arabisë Saudite ishte pengesa e gjashtë argjentinase në një debutim në Kupën e Botës. Albiceleste ra në ndeshjen e parë të “Suedia 1934”, “Polonia 1958” dhe “Gjermania 1974”. Fillimi i keq u përsërit në “Spanjë 1982” dhe “Italia 1990”. Ai ekip i Carlos Bilardo u rikuperua dhe arriti në finale të Botërorit të zhvilluar në Itali.

Kapiteni Lionel Messi udhëheq iluzionet e skuadrës së drejtuar nga Lionel Scaloni në Botërorin e Katarit. Në moshën 35-vjeçare, njeriu nga Rosario u bë lojtari i parë argjentinas që luan në pesë Kupa Botërore, të martën.

Duke folur pas humbjes 2-1 në ndeshjen hapëse të “Katar 2022”, ylli argjentinas u shpreh i zhgënjyer: “Është një goditje shumë e rëndë për të gjithë, sepse nuk e prisnim ta fillonim në këtë mënyrë, por gjërat ndodhin për një arsye dhe tani duhet të fitojmë patjetër.

Ka kaluar një kohë e gjatë që nuk jemi gjendur në një situatë të tillë. Duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për t’ia dalë, kanë mbetur edhe dy ndeshje në grup. E humbëm ndeshjen në 5 minuta, kur e pamë veten nga avantazhi 1-0 në disavantazhin 2-1. Ishte e gjitha e përpjetë dhe nuk barazuam dot, më minimalja".

Ángel Di María bëri një deklaratë të papritur pas humbjes 2-1 ndaj Arabisë Saudite, në ndeshjen inauguruese të të tijve në “Katar 2022”: “Mund të kishim fituar 5-0, por humbëm. Tashmë e kishim praktikuar këtë mënyrë loje, duke studiuar kundërshtarin. Donim të zhbllokoheshim sa më herët dhe kështu ndodhi.

Pastaj nuk shfrytëzuam rastet që patëm në pjesën e parë për ta mbyllur ndeshjen. Me fillimin e pjesës së dytë pësuam dy gola në pak minuta, kjo na goditi fort. Megjithatë reaguam dhe u gjendëm disa herë para portës kundërshtare. Golat e anuluar dhe rastet e shpërdoruara? E përsëris, mund të kishim fituar 5-0, por humbëm.

Duhet të vazhdojmë të punojmë, më parë nuk ishim më të mirët dhe tani nuk jemi më të këqijtë. Në një moment ajo seri prej 36 fitoresh radhazi do të përfundonte. Loja e sotme ka mbaruar, shkoi kështu. Na pret Meksika, ndaj duhet të punojmë fort".

Alejandro Papu Gómez u ankua për humbjen e rëndë në debutim dhe tha se ishin "pesë minuta fatale" në lidhje me golat e Arabisë Saudite: “Në pjesën e parë patëm raste dhe nuk ishte një pozicion i vogël jashtë loje. Më pas erdhi fati fatal i atyre pesë minutave dhe nuk mundëm ta kthenim.

Ne e dimë se është e vështirë, por kemi të gjithë energjinë nga tifozët në favorin tonë. Ka gabime për të korrigjuar. Ne duhet të mendojmë për veten tonë dhe t’i fitojmë të dyja ndeshjet e mbetura në grup".

Nga ana e tij, trajneri i Albiceleste nuk e ngre “flamurin e bardhë”, edhe pse e nisi shumë keq Botërorin e Katarit. Në konferencën për shtyp, ai nënvizoi: "Ne e respektojmë Arabinë Saudite 100%, siç respektojmë të gjithë. E përsëris se ishte një ekip i mirë, me lojtarë të aftë. Ajo që vjen më pas është të ecim përpara, na pret përballja me një rival të vështirë si Meksika. Kjo është ajo që ne do të përpiqemi të arrijmë. ka ndeshje për t’i fituar.

Vinim mirë në këtë start të Botërorit, por ky është futbolli. Kupa e Botës dhe kompeticionet e mëdha i kanë këto gjëra. Nuk kemi kohë të gabojmë. Kështu ndodhi dhe në momentin më të keq arritëm këtu. Nuk ka lexim tjetër, të ngrihemi dhe të vazhdojmë të fitojmë të dyja ndeshjet e mbetura në grup.

Humbja nuk është kurrë e mirë, sidomos të japësh përshtypjen se këmba po na rrëshqet. Nuk është kurrë mirë, nuk zgjedh kur të humbasësh. Ne kemi ardhur nga një dinamikë pozitive, për fat kemi ende dy ndeshje përpara dhe optimistë për kualifikimin në grup.

Pjesa e parë mendoj se ishte e gjitha e jona, por nuk iu shmangëm dot pozicionit jashtë loje. Në pjesën e parë pamë se loja ishte e çuditshme, se një gol ndryshon gjithçka dhe ishte kështu. Na barazuan dhe kaluan në avantazh 2-1 me fillimin e pjesës së dytë. Si janë lojtarët pas kësaj humbjeje? Si gjithë argjentinasit e tjerë, plot dhimbje, duke menduar për rezultatin e pafavorshëm dhe për t’u rikthyer”.