Transmetuar më 06-11-2022, 18:35

ITALI- Italia është e shqetësuar nga zhvillimet e fundit në Kosovë.

Në një artikull të publikuar në La Repubblica, shkruhet se ushtria e Beogradit është në gatishmëri. Sipas medias italiane, konflikti ka Moskën si ‘ndezëze’ dhe mbështetëse të tij. Artikulli e vë theksin në faktin që ndryshe nga lufta ne Ukrainë, këtë herë, konflikti është më pranë Italisë.

Pjesë nga artikulli:

Moska ndez konfliktin në Kosovë. Politikanët dhe policët serbë dhanë dorëheqjen në shenjë proteste kundër Qeverisë së Kosovës dhe për këtë kryeministri akuzon Rusinë. Beogradi e ka vendosur ushtrinë në gatishmëri. Këtë herë shpërthimi është edhe më afër Italisë. Një zjarr mbi të cilin fryjnë me kokëfortësi emisarët e Kremlinit, me të njëjtin qëllim si për pushtimin e Ukrainës: të vihet në dyshim arkitektura e sigurisë në Europë e projektuar në tridhjetë vitet e fundit. Duke filluar nga ku filloi gjithçka: Ballkani. Serbët sot u mblodhën në Mitrovicën e Veriut, ku u mbajt një tubim protestues i thirrur nga Lista Serbe. Para zyrtarëve të kësaj partie, policët serbë të shtunën i zhveshën uniformat e Policisë së Kosovë. Sipas Listës Serbe, s’ka më asnjë serb në institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë dhe Parlamentin. Ky vendim erdhi pas refuzimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr dorë nga vendimi për zëvendësimin e targave të automjeteve, të cilat lëshohen nga Serbia.

Ç’po ndodh në Kosovë?

Kreu i Listës Serbe Goran Rakiç ka vendosur që të dalë nga institucinet e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka ardhur pas takimit që kanë mbajtur me të gjithë ata që punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës. Serbët këtë vendim e kanë marrë si shenjë revolte ndaj vendimit të kryeministrit Kurti për targat dhe për vendimin për pezullimin e drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriç. Në Veri po zhvillohen protestat, për ndalimin e të cilave kërkohet anulimi i vendimit për targat dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.