Transmetuar më 05-11-2022, 21:47

KOSOVË- Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, duke folur për situatën e krijuar në veri të Kosovës, ka deklaruar se Beogradi dhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës. Për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit, Geoana ka thënë se ka biseduar edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsolav Lajçak. Ai po ashtu ka deklaruar se NATO dhe KFOR-i janë të gatshme për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.

“Bisedova me përfaqësuesin special Miroslav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin. NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilentë dhe të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, ka shkruar Geona në rrjetin social Twitter.

Kreu i Listës Serbe Goran Rakiç ka vendour që të dalë nga institucinet e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka ardhur pas takimit që kanë mbajtur me të gjithë ata që punojnë në institucionet e Republikës së Kosovës. Serbët këtë vendim e kanë marrë si shenj revolte ndaj vendimit të kryeministrit Kurti për targat dhe për vendimin për suspendimin e drejtorit rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriç.