Transmetuar më 05-11-2022, 14:07

Kosovë- Lista serbe largohet nga institucoionet e Kosovës.

Përfaqësuesit e listës serbe në të gjitha institucionet e Kosovës kanë vendosur të largohen detyra, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Top Channel ka siguruar pamje nga momenti teksa policët serbë, anëtarë të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, zhveshin uniformat e tyre si akt i parë i largimit nga institucionet dhe lënë detyrën.

Serbët përfaqësohen me një ministër në Qeverinë e Kosovës, dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, me kryetarë komunash në ato qytete ku shumicë janë qytetarët serbë, si dhe në gjyqësor, polici. Të gjithë këta do të largohen nga institucionet e Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

Në këtë takim, u tha se ky vendim vlen deri në një njoftim, siç e quajtën ata, të arsyeshëm të Prishtinës për të respektuar marrëveshjet e Brukselit.