Transmetuar më 02-11-2022, 23:13

TIRANË- Gazetari Berat Buzhala thotë se personazhët publikë kanë reaguar në rrjetet sociale, shkruajnë statuse e flasin për gruan e moshuar që u dhunua në Pejë, por nuk japin donacione. Në një lidhje me ‘Skype’ në “Opinion”, Buzhala tha se ata flasin për nënat e të rënëve në luftë, por nuk dhurojnë asgjë për to.

“Në Kosovë mendohet se janë mbi 20 mijë gra të dhunuara. Unë i kam takuar edhe vetë. Janë mijëra nëna ushtarësh të rënë në luftë që sot jetojnë në kushte të mjerueshme. Ndaj do të doja t’i shihnin këta Grabitat e këta trimat që mbushin gojën plot në rrjetet sociale e flasin për luftën. Por nuk bëjnë asnjë donacion,”- tha Buzhala.

E moshuara u dhunua në qendrën Orenda nga Aurona Pelaj dhe dy kujdestare të tjera. Një e katër filmonte. Pamjet bënë xhiron e rrjetit dhe kanë ngallur shumë reagime, ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar se Pelaj dhe dy të tjera janë vënë në pranga. E katërta po hetohet.