Transmetuar më 02-11-2022, 20:12

E gjithë vëmendja publike është fokusuar te rasti i të moshuarës së dhunuar në Pejë. Videoja ku ajo shfaqet duke u keqtrajtuar nga një punonjëse e shtëpisë së të moshuarve i ka shokuar padyshim të gjithë.

E moshuara është nëna e dëshmorit Taulant Nura. Dhëndri i saj, Ezen Vala ka dhënë një deklaratë për T7 ku ka treguar se nuk kanë qenë në dijeni që ajo keqtrajtohej dhe se do ta tërheqin sot nga shtëpia.

Vala ka zbuluar se e moshuara vuan nga alzheimeri dhe nuk iu ka treguar asgjë rreth ngjarjes së rëndë, e cila mësohet të ketë ndodhur para 4 ditësh.

“Minirja është banore e kësaj qendre qe një vit. Me publikimin e një videoje në rrjetet sociale jemi shqetësuar të gjithë. Kemi ardhur menjëherë me e tërheq nga shtëpia. Banorin e tërheqim për shkak të asaj qe e kemi parë në video. Ajo është nënë e një dëshmori. Nuk kemi pasur ndonjëherë vërejtje për sjellje të keqe. Ne nuk dimë që diçka ka ndodhur. Fatkeqësia është që zonja vuan nga alzheimeri. Sot është mirë por rasti ka ndodhur para 4 ditëve. Ne presim që hetuesia të zbulojë më shumë”, ka treguar ai.