Transmetuar më 14-10-2022, 10:17

Kosovë- Vjedh shkronjat e memorialit të heroit legjendar Adem Jashari, por zbulohet dhe kapet nga policia.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur dy ditë më parë në Prekaz të Poshtëm të Komunës së Skënderajt në Kosovë ku një 26-vjeçare ka dhunuar varrin e heroit Adem Jashari ku ka vjedhur shkronjat.

Sipas Sinjalit, ngjarja është zbuluar ditën e djeshme dhe pas disa hetimeve u bë i mundur identifikimi i 26-vjeçares e cila u thirr në polici.

Në dëshminë e saj e reja pohoi se ishte në gjendje të dehur dhe se shkronjat i mori për ti mbajtur si kujtim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj saj është iniciuar rasti ‘Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës’ dhe e njëjta është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kompleksi memorial ‘Adem Jashari’ ndodhet në Prekaz të Poshtëm të komunës së Skenderajt ku prehen trupat e 56 anëtarëve të familjes Jashari që humbën jetën në betejën e lavdishme të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 dhe është ndër vendet më të vizituara në Kosovë.