Transmetuar më 01-10-2022, 12:04

Nesër do të luhet derbi i parë i madh sezonal i kryeqytetit. Tirana, me petkun e kampionit në fuqi, do të “përplasë brirët” me të kuqtë e Partizanit në “Arena Kombëtare”. Një supersfidë, që ndez kryeqytetin, angazhon në nivele sipërore dy tifozëritë.

Filozofia e këtyre përballjeve është e qartë: Derbi nuk luhet, por fitohet! Ka nga ata që thonë edhe se “më mirë fitoj derbin e madh se sa titullin”. Parë kështu, antagonizmi pa fund i paraprin edhe ndeshjes së nesërme. Duke folur para gazetarëve në prag të duelit me Partizanin, trajneri bardheblu, Orges Shehi nënvizoi:

“Dihet rëndësia e derbit për skuadrën, ambientin e tifozët. Është vitrinë e kampionatit shqiptar. Me aq ditë sa kemi pasur në dispozicion, pas ndeshjes së kupës, ku disa lojtarë që luajtën mund ta nisin edhe nga fillimi, besoj se jemi përgatitur mjaftueshëm. Natyrisht, më e rëndësishme është përgatitja psikologjike se taktika për derbin.

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe teksti

Grupi i lojtarëve nuk është i plotë. Najdovski është dëmtuar, por rikthehet Hussein. Statistikat pro Tiranës në derbi? Dihet rivaliteti i madh ndër vite, statistikat herë kthehen në favor të njërës, herë të skuadrës tjetër. Statistikat nuk do të kenë ndikim për nesër, pasi është histori e re që do të shkruhet përsëri. Stadiumi është shumë domethënës. Ka një domethënie të madhe për komoditetin që ofron, si për lojtarët dhe tifozët.

Nuk e di se çfarë mund të thotë për ekipin kundërshtar stadiumi “Arena Kombëtare” apo ndonjë tjetër, ters apo fat. Fokusohemi tek ajo që duam të bëjmë ne dhe nuk iu besojmë shumë statistikave. Është ndeshje për t’u luajtur me zemër.

Formacioni? Kemi një grup lojtarësh që nga momenti në moment mund të ndryshojë. Është Najdovski që mungon dhe do të luajë dikush tjetër. Kemi akoma disa gjëra në kokë që do të vendosen deri nesër. Se kush do të rrijë në stol apo do të jetë në fushë nuk ka aspak rëndësi. Lojtarët në stol janë po aq të rëndësishëm sa ato që e nisin ndeshjen nga fillimi.

Nuk besoj se tifozët kanë nevojë për thirrjen tonë. Kanë qenë gjithmonë të pranishëm edhe në transfertë. Jam i sigurtë që ndeshjen e tyre nesër do ta fitojnë në stadium”.