Transmetuar më 30-09-2022, 22:40

SHQIPËRI- “Tifozat Kuq e Zi” kan reaguar në lidhje me situatën negative që po kalon përfaqësuesja e Shqipërisë. Në një postim në Facebook, tifo-grupi ka bërë të ditur se do të jenë të pranishëm në çdo stadium ku luan Kombëtarja e Shqipërisë.

Tifozët thonë ata për “të mbrojtur nderin e flamurit dhe jo për t’i parë futbollistët”. Krisja mes tifozëve dhe lojtarëve erdhi në barazimin 1-1 ndaj Islandës.

POSTIMI I PLOTË

Tifozat Kuq e Zi kanë qenë, janë dhe do të jenë përgjithmonë ambasadorët e Shqipërisë! Në shkallët e të gjitha stadiumeve ku luan Kombëtarja kemi qenë e do të jemi aty, jo për t’ju parë juve, por për të mbrojtur nderin e flamurit më të bukur në botë. Për atë flamur do të jemi gjithmonë sepse e kemi detyrim.

Ne nuk duam të vraponi pas fitoreve, por duam t’ju shohim se si luftoni për ngjyrat Kuq e Zi. Nuk duam ta shikoni Shqipërinë si një vend ku mund të tregoni cilësitë tuaja, por një vend ku thirrja është një mision, e fusha është betejë në të cilën duhet derdhur djersë e gjak!

Të gjithë do të shkojnë, ne do të mbetemi, reflektimi juaj tashmë mbetet për tu parë. Situata nuk do të ndryshojë deri sa ta kuptoni se jeni duke luajtur për Kombëtaren, për Shqipërinë! E mos harroni se, më të vlefshme se Shqipëria nuk ka asgjë!