Transmetuar më 30-09-2022, 17:54

KOSOVË- Gjenden eshtrat e biznesmenit kosovar Bedri Rexhepi. Ai ishte zhdukur prej më shumë se një viti.

Mediat e Kosovë shkruajnë se Prokuroria themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se në vazhdën e hetimeve për rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi janë siguruar prova shtesë. Bëhet fjalë për disa eshtra që janë gjetur. Sipas Prokurorisë gjatë verifikimit të terrenit në një zonë kodrinoro-malore në Novobërdë, kanë hasur në mbetje mortore të dekompozuara që dyshohet se janë të trupit të biznesmenit Bedri Rexhepi.

Komunikata e plotë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion publik se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë dhe institucionet e tjera relevante, në vazhdën e hetimeve, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin e “Rrëmbimit” të B.R., me ç’ rast është planifikuar që veprimet hetimore të bëhen edhe në terren me qëllim të identifikimit të lokacionit për gjetjen e personit në fjalë. Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore. Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, andaj lidhur me zhvillimet e tjera rreth këtij rasti do t’iu mbajmë të informuar.​

Biznesmeni Bedri Rexhepi u zhduk pasditen e 8 prillit të një viti më parë. Ai doli nga banesa e tij në Prishtinë dhe që prej asaj dite nuk dihet se çfarë mund të ketë ndodhur me të. Në burg për këtë rast është Arjeta Rukovci, e cila dyshohet se ka ndihmuar në nxjerrje në pritë të Rexhepit, për ta çuar atë në duart e personave që donin ta rrëmbenin.