Transmetuar më 30-09-2022, 12:38

Në një rast të rrallë dhe të papritur, analistët që njihen si mbështetës tradicionalë të Edi Ramës dhe kundërshtarë të opozitës aktuale, goditën fort qeverinë e kryesocialistit në një debat televiziv mbrëmë, pikërisht në emisionin e Sokol Ballës në Top Channel.

Skënder Minxhozi, një ndër emrat më të njohur të opinionbërjes në Shqipëri, e fshikulloi fort qeverinë dhe tha se "mënyra si Rama po ndërton mandatin e tretë është totalisht difektoze".

Për Minxhozin, duket sikur "Rama është mbyllur në një kullë të Fildishtë". "Po e menaxhon shumë keq problemin e krizës së çmimeve", shtoi ai.

Si rrallë herë Minxhozi shkoi edhe më tej kur tha se "Rama po fut duart në xhepat e shqiptarëve" dhe shtoi se "ka shumë faktorë që e kanë bërë të padurueshme dhe antipatike qeverinë".

Karlo Bolino, historikisht mbështetës i Ramës, u shpreh me nota të ulëta po ashtu duke vënë në dukje se kryeministri është në vitin e nëntë të pushtetit. Ai zhvlerësoi me frymë kritike shpenzimet e larta të qeverisë për satelitë që tha se nuk kanë vlerë për sa kohë në vend mungon ndëshkueshmëria.

Skënder Minxhozi ishte edhe më i ashpër: "Rama ka ndërtuar një ekzekutiv që është më pak cilësori i viteve të fundit. Ka krijuar një efekt kaskadë çmimesh.  Qeveria caktoi një bord dhe tha se nuk do të ndryshonte taksat, por çmimi i naftës është ndër më të lartët në rajon".

Opinionisti tjetër Eduard Zaloshnja vuri në dukje se "një shumicë  madhe e njerëzve kanë opinion negativ për qeverinë".

Ai theksoi se si kurrë më parë, mbështetja për qeverinë ka rënë në vetëm 18 për qind, citon noa.al.