Transmetuar më 30-09-2022, 07:34

Tiranë- Largimet nga puna i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë miliona euro.

Arbitrariteti i qeverisë në marrëdhëniet kontraktore me të tretët dhe me punonjësit e saj po i kthen vendimet e gjykatave në një kosto të madhe për buxhetin.

Në fund të muajit qershor 2022, Ministria e Financave përllogariti se, stoku i detyrimeve buxhetore që rrjedhin nga vendimet e gjykatave arriti në 4 miliardë lekë ose 33 milionë euro.

Këto detyrime i përkasin më së shumti punonjësve që janë shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga vendet e tyre të punës, por edhe gjyqet që janë fituara nga kompanitë, që kishin kontrata për pune dhe shërbime me qeverinë.

Në stokun total të detyrimeve të prapambetura buxhetore, zëri i vendimeve gjyqësore është më i lartë nga 10 zërat e tjerë që krijojnë faturat buxhetore të pashlyera në kohë.

Në fund të qershorit 2022 stoku i detyrimeve të prapambetura arriti në 15,4 miliardë lekë, ndërsa vendimet e gjyqësore zunë 26% të stokut.

Të dhëna më të detajuara nga Ministria e Financave tregojnë se 84% (3,4 mld lekë) e detyrimeve që burojnë nga vendimet e gjykatave i zotëron qeveria qendrore.

Ndërsa 16 % (645 milionë lekë) i takojnë pushtetit lokal. Shumica e këtyre detyrimeve janë krijuar nga ankesat në gjykatë të punonjësve të administratës të shkarkuar nga puna. Shkarkimet nga administrata janë bërë në shkelje të legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil dhe kodit të punës.