Transmetuar më 29-09-2022, 14:41

Kombëtarja shqiptare e mbylli edicionin e fundit të Ligës së Kombeve me rezultate mjaft negative. Kur u përjashtua Rusia nga grupi ynë, të gjithë e panë kombëtaren kuqezi si favorite absolute për ta mbyllur e para dhe ngjitur një ligë më lart.

Izraeli dhe Islanda, dy rivalët e tjerë, shiheshin poshtë kombëtares së drejtuar nga Edy Reja, çka e dëshmonte edhe klasifikimi përkatës në FIFA. Sidoqoftë, fusha tregoi diçka krejt ndryshe. Izraeli na mundi dy herë, ndërsa Islanda na ndali me dy barazime.

Zhgënjim total, kritika të shumta ndaj lojtarëve dhe trajnerit Edy Reja. Ky i fundit duket si “karrige në rërë” tashmë, me kontratë deri në nëntor, pa asnjë gjasë që të rinovojë. Natyrisht, kanë nisur zërat për zëvendësuesin e tij. Pikë së pari, analistët kanë ngritur dilemën nëse duhet shqiptar apo i huaj.

Ka të tjerë që po “soponsorizojnë” rikthimin e Gianni de Biasi në stolin kuqezi, me të cilin shkuam për herë në parë në histori në fazën finale të një Kampionati Europian, “Francë 2016”. Presidenti Armand Duka nuk është prononcuar ende, pavarësisht kritikave të forta edhe në drejtim të tij.

Ndërkohë, një qëndrim ka mbajtur edhe “njeriu i dronit” në Beograd, Ismail (Ballist) Morina. Ai konsiderohet si njeriu kyç, që me veprimin e tij tërboi serbët dhe ndeshja u ndërpre, për t’u fituar 3-0 në tavolinë më vonë në CAS e Lozanës.

Pra, ato tri pikë të çmuara i atribuohen pikërisht atij, indirekt. Lidhur me rikthimin e De Biasit në stolin e kombëtares, “Ballisti” ka ironizuar me një mesazh në rrjetet sociale, duke shkruar: “Këtij i keni dhënë gjithçka, kështu që nëse doni ta ktheni ju propozoj t’i jepni si çmim BO*ET e kalit të Skënderbeut”.

Ndërkohë, një tjetër postim ia ka kushtuar Besnik Hasit, i përfolur për të marrë drejtimin e kuqezinjve. Në rastin e ish-kapitenit të kombëtares, Ismail Morina ka shkruar: “Ty o bablok, nëse do të vije, do të thoja: Ta shtoftë ZOTI inatin, por e di që nuk vjen dhe të kuptoj krejtësisht”.