Transmetuar më 29-09-2022, 09:39

Cristiano Ronaldo nuk e fshehu zhgënjimin e tij pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja, në Braga, në Ligën e Kombeve. Kapiteni luzitan, në fund të lojës hodhi shiritin e kapitenit, ashtu siç kishte bërë edhe herët e tjera për ngjarje të pakëndshme të ndodhura, teksa kishte veshur fanellën e kombëtares. Për të kujtuar këtë dhe episodet e tjera ka menduar “Tycsports”.

Ronaldos nuk i pëlqen të humbasë, ne e dimë këtë. Së fundi, Portugalia me një barazim do të kualifikohej në “Final Four” të Ligës së Kombeve, por në minutën e 88-të shënoi Morata, i cili shpërbleu Spanjën, duke “dekretuar” eliminimin e CR7. Pas fishkëllimës së fundit, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” hodhi shiritin e kapitenit.

Kishte ndodhur edhe në raste të tjera. Vitin e kaluar, me humbjen 1-0 të Portugalisë ndaj Belgjikës, në 1/16 të Kampionatit Europian, duke mos mundur të mbronte dot titullin e 2016-ës, ai jo vetëm që hodhi shiritin e kapitenit, por edhe e goditi atë.

Dhe përsëri: në vitin 2022, në barazimin 2-2 kundër Serbisë për kualifikueset e Botërorit 2022, arbitri i anuloi pa të drejtë golin e fitores, katër minuta para fundit të lojës. Cristiano Ronaldo, si kundërpërgjigje, protestoi dhe hodhi në fushë shiritin e kapitenit, duke shkuar menjëherë në dhomat e zhveshjes pa i thënë lamtumirë dhe dhënë dorën askujt.

Këtë vit, i njëjti shirit kapiteni u shit për 64.000 euro dhe të ardhurat shkuan për trajtimin mjekësor të një fëmije gjashtë muajsh serb, që vuante nga atrofia muskulare kurrizore. Atij i duhej të shkonte jashtë vendit për të marrë ndihmë mjekësore.

Ronaldo was criticised following Portugal's Nations League exit

Jovan Simiç, themelues i organizatës “Together for Life”, e shpalli përfundimin e ankandit të shirtitit të hedhur nga CR7 në fushë me një postim në Twitter. Veprimi i fundit ka ndezur debate të forta, si dhe kundërshti ndaj Ronaldos.

Menjëherë në debatin “social” ka ndërhyrë motra e CR7, Katia Aveiro, e cila ka akuzuar tifozët portugezë se “pështyjnë në pjatën ku hanë”, duke pasur parasysh kritikat e tyre për kampionin. Shumë tifozë do të donin që Ronaldo të mos thirrej më në ekipin kombëtar, por trajneri Fernando Santos ia ka mbyllur gojën “turmës”, duke thënë se do të besojë tek ai.

Në postimin në rrjetet sociale, motra ka mbrojtur vëllain e saj: “Tifozët portugezë janë të sëmurë, të vegjël dhe mosmirënjohës. Ronaldo mbetet lojtari më i mirë në botë”. Ajo postoi një foto të CR7 të ulur në tokë dhe të dërrmuar pas humbjes së fundit ndaj Spanjës. “Ai ka pranë tij familjen dhe ata që e duan, pa marrë parasysh çfarë.

Por momentet aktuale nuk më befasojnë aspak. Portugezët pështyjnë në pjatën ku hanë, kështu ka qenë gjithmonë. Kjo është arsyeja pse kur dikush rishfaqet nga hiri dhe ndryshon mentalitetin e tij, është i bezdisshëm. Gjithmonë me ty, mbreti im! Merre me qetësi.

Ne duhet t’iu japim një dorë atyre që ia kanë dhënë gjithmonë të tyren Portugalisë. Por portugezët janë të sëmurë, të poshtër, pa shpirt, budallenj dhe përgjithmonë mosmirënjohës. Këtij djalit që është ulur në gjunjë… nuk ka kush t’i japë dorën”.