Transmetuar më 28-09-2022, 21:25

FUSHË KRUJË- Brilant Martinaj ishte karbonizuar i gjithi nga flakët që përfshinë makinën ku ai u vra. Kështu që për grupin hetimor që shkoi për të identifikuar viktimat e masakrës së Fushë Krujës në ndihmë i kanë ardhur sendet personale.

Ekspertët mjeko-ligjorë e patën shumë të vështirë të identifikonin fillimisht kufomat e përzhitura nga flakët të cilat thuhet se ishin karbonizuar plotësisht ku identifikimi i kufomave, u bë vetë pas analizimit të trupit të karbonizuar të Brilant Martinaji i cili u dallua nga atletet e markës ‘Valentino’ që mbante veshur si edhe nga një orë e markës ‘Rolex’ që mbante në dorë. Sipas ekspertizës balistike të kryer, në trupin e viktimave, u gjetën 18 deri në 20 plumba. Çka tregonte edhe për egërsinë me të cilën ata ishin qëlluar. Ndërkohë që për të konfirmuar identitetin e secilës prej viktimave, ekspertë të mjekësisë ligjore, morën edhe kampionë nga ADN-ja e të afërmve të tyre. Në këtë rast, nga Rakip Martinaj, babai i Brilant Martinaj dhe Bajram Hoxha, babai i Besmir Hoxhës.

Mesditën e të dielës, më 17 korrik, në rrugën kryesore që lidh Fushë-Krujën me Tiranën, një pritë iu bë makinës ku po udhëtonin tre të rinj, Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata. Disa persona kanë ekzekutuar në mënyrë makabre 3 të rinjtë duke djegur edhe makinën ku ata po udhëtonin. Njëri prej tyre, Dikler Vata zbriti nga mjeti i plagosur duke tentuar të shpëtonte por autorët u kthyen dhe e qëlluan përsëri duke u siguruar që e vranë. Shënjestra e atentatit sipas burimeve nga grupi hetimor është Brilant Martinaj, kushëri i parë me biznesmenin e përfshirë në disa ngjarje kriminale, Ervis Martinaj.