Transmetuar më 28-09-2022, 18:31

SHKODËR- Atë që nuk e bënë djemtë, e bëjnë vajzat në futrbollin shqiptar. Vllaznia e vajzave ka shkruar sot historinë në futbollin shqiptar duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të UEFA Champions League dhe duke u radhitur kështu në listën e 16 ekipeve më të mira të Europës për femra, duke shënjuar edhe arritjen më të madhe në histori të një klubi shqiptar në kompeticionet europiane.

Shkodranet luajtën në ‘Loro Boriçi’ ndeshjen e dytë të fazës së play-off-it të Champions League kundër Vorskla- Kharkiv, duke triumfuar me rezultatin 2-1 e duke siguruar kështu kalimin në fazën e grupeve për herë të parë. Vllaznia luajti një javë më parë sfidën e parë të kësaj faze kundër Vorsklës, ku shkodranet barazuan 1-1, teksa kjo e sotmja ishte sfida e dytë mes këtyre dy ekipeve, ku skuadra shqiptare ia doli të buzëqeshte falë golave të realizuar nga amerikania Tarah Lynn Patterson në pjesën e pare dhe Gresa Berisha 2 minuta nga fundi i kohës së rregullt.

Një 28 shtator magjik ky e që do të mbahet mend gjatë jo vetëm për Vllazninë e shkodranët, por për të gjithë futbolldashësit shqiptarë.

Një sukses i jashtëzakonshëm i arritur nga puna e palodhur e vajzave shkodrane, trajnerit Nikolin Leka, Presidentit Lazer Matija e të gjithë stafit të Vllaznisë së vajzave.