Transmetuar më 29-09-2022, 08:20

E quajtën “Maradona i Azisë” për karrierën e tij të madhe si futbollist. Mohammad Ali Karimi, ish-kapiteni i Iranit, sot kërkohet nga Garda e Revolucionit Islamik për mbështetjen e protestave që shpërthyen pas vrasjes së Mahsa Amini, një vajzë e rrahur për vdekje, ndoshta nga policia fetare iraniane, për shkak të mosmbajtjes së duhur të mbulesës (shamisë në kokë).

Ali Karimi është 43 vjeç dhe ndaloi së luajturi futboll më 2014, pas një karriere të gjatë si mesfushor-sulmues, në të cilën gjithashtu bëri 33 paraqitje për Bayern Munich. Ai u bë iraniani i katërt që fitoi "Topin e Artë" të Azisë. Në vendin e tij është një yll dhe sot kërkohet për (sh)përdorimin e popullaritetit të tij për të nxitur protestat kundër policisë.

“Il mago” iu kërkoi më shumë se 12 milionë ndjekësve në rrjetet sociale të dalin në rrugë dhe të shpërndajnë videot e kryengritjes popullore në internet. Gjithashtu, iu shpjegoi se si të merrnin një lidhje VPN në rast të ndërprerjes së internetit.

Njëherazi i kërkoi ushtrisë që të mos dhunojë civilët, për "të parandaluar derdhjen e gjakut të të pafajshmëve". “Unë uroj vetëm paqe dhe prosperitet për popullin tim”, – shkroi në Twitter.

Ali Karimi, një legjendë në vendin e tij, ishte personazhi i parë publik që sulmoi policinë fetare për vrasjen e Mahsa Amini, duke iu kërkuar atyre që të jenë të kujdesshëm ndaj "gënjeshtrave" të përhapura nga shteti dhe në vend të kësaj të mbështeten në versionin e familjes, e cila e drejtoi gishtin nga policia.

Protestat në Iran nisën 11 ditë më parë dhe janë kthyer në një fenomen masiv, me thirrjen “vdekje diktatorit” (drejtuar liderit suprem të vendit, Ali Khamenei). Televizioni shtetëror iranian flet për 41 vdekje mes protestuesve dhe policëve, por shoqata të tjera raportojnë shifra më të larta, ndërsa ka mbi 1.400 arrestime që nga fillimi i demonstratave.

Shumë gra morën pjesë në protesta duke hequr mbulesën, duke i djegur ato apo prerë flokët në shesh. Njëra prej tyre, Hadis Najafi, 20 vjeçe dhe një nga fytyrat më mediatike të protestës, u vra pak ditë më parë nga gjashtë të shtëna me armë zjarri.

Historia e Mahsa është vetëm e fundit në të cilën Ali Karimi është ekspozuar politikisht. Në të vërtetë, "Maradona i Azisë" ia detyron një pjesë të madhe të popullaritetit përkushtimit të tij shoqëror. Në vitin 2009, ai u pezullua nga ekipi kombëtar për shkak të prangave jeshile, simboli me ngjyra të protestës kundër mashtrimit zgjedhor në vendin e tij.

Nga ajo kohë ai ka kundërshtuar disa herë regjimin iranian. Fushatat e tij janë shtrirë në disa fronte: nga protesta ndaj ndalimit të grave për të hyrë në stadiume deri te protesta ndaj mbështetjes së Teheranit për grupet radikale të milicisë në Liban, Irak dhe Gaza.

Sot, agjencia proqeveritare e lajmeve "Fars" e quan atë një "rebel", ndaj fton Gardën Revolucionare "të kujdeset" për të. Ali Karimi ishte futbollisti i parë që nxiti protestat, por jo i fundit. Atij i është bashkuar Sardar Azmoun, “Messi iranian”, i cili në të kaluarën është pëlqyer nga Juve, ndërsa tani luan te Bayer Leverkusen.

"Thjeshtësia me të cilën po vrasin njerëz është skandaloze. Rrofshin gratë iraniane", – ka shkruar ai në Instagram. Ndryshe nga Ali Karimi, ai është ende në aktivitet si futbollist dhe këto pak rreshta mund t’i kushtojnë shtrenjtë.

Konkretisht, pjesëmarrja e tij në Botërorin e Katarit është në fije të perit. Azmoun e di, por nuk i intereson: "Për disa rregulla të kombëtares nuk mund të flasim, por nuk mund të duroj më heshtjen. Nëse duan të më heqin nga lista e kombëtares, le ta bëjnë".