Transmetuar më 28-09-2022, 14:09

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë hapa pas në lidhje me hetimet për fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur pa gjurmë prej 9 gushtit. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Rama, ndryshe nga më herët që deklaronte se Policia e Shtetit kishte dijeni për atë që kishte ndodhur me Martinajn, tha se blutë nuk kanë asnjë provë. Kreu i qeverisë tha që në momentin që do të ketë prova, Policia e Shtetit do të flasë, por për sa kohë nuk ka asnjë provë, nuk bën dot asnjë komunikatë në lidhje me këtë ngjarje.

"Nuk e di se çfarë nënkuptoni ju me të tjera, por në momentin që Policia e Shtetit do të ketë prova do të flasë. përsa kohë nuk ka folur do të thotë që nuk i ka proivat e mjaftueshme,"- tha Rama ndër të tjera.

Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.