Në vitin 2013 kur erdhi në pushtet, Edi Rama e kishte Arben Ahmetajn, krahun e tij të djathtë. I dha postet më të mira, zëvendëskryeministrin, ministritë e Ekonomisë, Financave, Rindërtimit dhe e bëri të plotfuqishmin e qeverisë aq sa shumë njerëz e quanin "Tigri" i Ramës.
Mandatin e dytë, diçka ndodhi mes tyre dhe Rama nisi ta lërë në hije.
Por zgjati pak sepse ra ai tërmet dhe ata sërish u bënë bashkë. Në atë moment Ahmetaj mori sërish fuqinë që kishte, e ndoshta ca më shumë.
Por mandatin e tretë gjërat kanë ndryshuar. Rama nuk e do më Ahmetajn vërdallë tij. Nuk e do as në qeveri dhe as në parti. Gati-gati e bezdis prania e tij dhe në legjislativ.
Ndaj Rama e ka bërë gati dhe e ka vënë në jetë paketën e tij antiAhmetaj. Ajo përfshiu shkarkimin e krahut të tij të djathtë si zëvendëskryeministër, largimin nga të gjitha postet ministrore, madje dhe shkarkimin nga të gjitha funksionet politike në Partinë Socialiste.
Mbrëmjen e së mërkurës, Rama nuk u ndal sërish. E zhveshi Arben Ahmetajn edhe nga e fundit gjë që e lidhte me kupolën drejtuese të PS, postin e drejtuesit politik për qarkun e Vlorës.
Rama shkarkoi Ahmetajn dhe rehabilitoi Blendi Klosin, ministrin e tij të Turizmit në mandatin e dytë.
Tani, Ahmetaj mbetet vetëm deputet dhe me këto ritme, Rama nuk pritet ta lërë më gjatë edhe aty, duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025.
Në PS thonë se skema e Ramës është e ditur dhe e përdorur disa herë, më herët me Saimir Tahirin e tani edhe me Arben Ahmetajn. Sepse për Ramën është e rëndësishme që paprekshmëria e tij të ruhet me çdo kusht, thonë deputetë të PS që druajnë të flasin publikisht. /noa.al