Transmetuar më 27-09-2022, 10:42

Nëna e një tifozi autik të Evertonit, i cili pa telefonin e tij t’i thyehet nga Cristiano Ronaldo, i ka bërë thirrje Federatës Angleze të Futbollit (FA) të ndëshkojë superyllin e Manchester United.

Pesë herë fituesi i "Topit të Artë", i cili u përplas me tifozin adoleshent pas një ndeshjeje të Premier League në "Goodison Park", në prill, është vënë nën akuza publike, por jo institucionale.

Pamjet treguan se ai goditi telefonin në dorën e 14-vjeçarit Jacob Kelly. Adoleshenti mbeti me telefonin e thyer dhe njërën dorë të mavijosur, ndërsa nëna e tij tani iu kërkon autoriteteve përkatëse të marrin masa ndaj Ronaldos.

Mom of autistic boy slapped by Cristiano Ronaldo reacts

Sarah Kelly ka thënë për "The Mirror": “Le të shpresojmë që ai më në fund do ta marrë dënimin e duhur. Sjellja e Ronaldos ishte e papranueshme. Djali im flet çdo ditë për atë që i ndodhi, ka pësuar shok psikologjik".

Policia e Merseyside financoi riparimin e telefonit të prishur. Nëna e tifozit autik shton: “Ai duhet të kishte paguar për këtë. Është ai që i shkaktoi të gjitha këto. Nuk e besoj, ai mund të sulmojë një fëmijë dhe të vazhdojë si zakonisht, pa asnjë penalitet. Si mund të flejë ai njeri natën, duke ditur shqetësimin që i ka shkaktuar një fansi të ri?”

Ronaldo ofroi të takohej me familjen Kelly, por Sarah pretendon se asgjë nuk është vendosur. Ajo vazhdoi: “Ronaldo na ofroi ta takojmë dhe tha se i vinte keq, por ngulmoi se nuk kishte bërë asgjë të keqe. Kjo nuk është një kërkim-falje, por fyerje”.