Transmetuar më 26-09-2022, 11:56

Pavarësisht figurës së dobët në Ligën e Kombeve, zbritur në Ligën B pas humbjes në “San Siro” ndaj Italisë, Lothar Matthaus është i bindur se, të paktën për sa iu përket emrave, Anglia është ende një nga kandidatët kryesorë për të fituar Kupën e Botës, e cila do të fillojë në mesin e nëntorit në Katar.

E fundit me vetëm dy pikë në Grupin C të Ligës së Kombeve me dy barazime dhe tri humbje, Anglia do të përballet sonte me Gjermaninë, në ndeshjen e fundit të kompeticionit. Nga edicioni i ardhshëm do të jetë në Ligën B, me synimin pra për t’u ngjitur sërish në Ligën A.

Ish-fituesi i “Topit Artë”, gjermani Lothar Matthaus, legjenda e Interit mes viteve ‘80 dhe ‘90, foli për tabloidin britanik “The Telegraph” mbi shanset e “Tre Luanëve” për sukses në Katar 2022:

"Kur shihni emrat e lojtarëve, Anglia është favorite për ta fituar Kupën e Botës. Anglia dhe Franca mund të kenë nag tri skuadra kryesore secila. Vendi i katërt në Botërorin e Rusisë, finalja e Europianit të fundit…, anglezët janë shumë afër fitimit të një titulli pas vitit 1966".

Dyshimi i vetëm i Matthaus lidhet me rolin e portierit, sipas tij jo i barabartë me “luftanijet” e tjera si Gjermania, kundërshtari i radhës i britanikëve:

"Ndoshta Anglia ka një problem me portierin. Fjala vjen, nuk ka një portier si Gjermania. Ky mund të jetë një problem i madh. Në Kupën e Botës ju nevojitet çdo lojtar”.