Transmetuar më 25-09-2022, 11:23

Belgjikë- Ministri belg i Drejtësisë Vincent Van Quickenborne është vënë nën mbrojtje të shtuar policore, me dyshimin se i kërcënohet jeta.

Sipas të përditshmes flamande Het Laatste Nieuws, “të paktën” një pushkë dhe disa shishe të mbushura me benzinë u zbuluan brenda një automjeti me targa holandeze, të parë pranë shtëpisë së ministrit, ndërsa 3 persona kanë rënë në pranga, nën akuzë se për “kërcënim të jetës së një zyrtari shtetëror”.

Zyra e prokurorisë federale belge tha në një deklaratë për shtyp se tre persona janë arrestuar gjatë natës nga e premtja në të shtunën në Holandë. Të arrestuarit janë të gjithë shtetas holandezë, të moshës 20, 29 dhe 48 vjeç, sipas zyrtarëve, ndërsa është kërkuar transferimi i tyre në Belgjikë.

Pas bërjes publike të ngjarjes, vetë ministri ka reguar, duke treguar se ai dhe familja e tij janë mirë.

“Unë dhe familja ime jemi të sigurt. Lufta jonë kundër krimit të organizuar vazhdon. Me më shumë fuqi punëtore dhe burime se kurrë. Ne kurrë nuk do t’i përkulemi dhunës”, shkroi z. Van Quickenborne në Twitter.

Zyra e prokurorisë federale belge konfirmoi se ishte “informuar gjatë javës së fundit për një kërcënim të mundshëm” ndaj Ministrit të Drejtësisë. Sipas tyre, hetimi “tregoi shpejt se ky kërcënim duhet të merret seriozisht”.

Ministri është vënë nën mbikëqyrje më të rreptë policore dhe nuk do të marrë pjesë në eventet e ditëve në vijim si masë sigurie.