Transmetuar më 24-09-2022, 19:00

Kryeministri Edi Rama iu adresua sot Sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Shqipëria aktualisht shërben si anëtare e Këshillit të Sigurimit për herë të parë në historinë e saj.

Rama u ndal fillimisht në luftën mes ish republikave sovjetike duke qenë shumë i ashpër: "Këtë vit shpresat e besimet tona janë copëtuar hidhur e garancitë tona janë shkelur nga një luftë e paprovokuar, e pajustifikuar dhe e paramenduar e një vendi kundër një tjetri në kontinentin evropian.

Agresioni mizor i Rusisë kundër fqinjës së saj, Ukrainës. Lufta me zgjedhje e Rusisë është kundër Ukrainës e popullit të saj, por jo vetëm. Është po kështu, një sulm brutal kundër së drejtës ndërkombëtare, një shkelje flagrante e kartës së Kombeve të Bashkuara dhe një kërcenim tejet i drejtpërdrejtë ndaj arkitekturës së sigurisë evropiane. Është një betejë e hapur midis një tiranie cinike të vjetëruar dhe një demokracie të re në lulëzim.

Ndërkohë që të gjithë ne në mënyrat tona e me mjeket përkatëse përpiqemi individualisht e kolektivisht të projektohemi në të ardhmen, një vend udhëhequr nga deliri i madhështisë që vjen prej kohëve të shkuara ka vendosur të zvarrisë botën pas, të shkojë kundër gjithçkaje që kemi ndërtuar për dekada të tëra. Kjo është e papranueshme!

Ne do vazhdojmë të qëndrojmë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe popullin e saj, e ashtu si shumë vende të tjera, t’i ndihmojmë në çdo mënyrë që të mundemi që ata të vetëmbrohen. Lufta e tyre është edhe e jona e shpresoj që të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara që ndajnë parimet thelbësore të sovranitetit, të integritetit territorial, të lirisë e të së drejtës për të vendosur në mënyrë të pavarur për të ardhmen pa frikë e pa ndërhyrje. T’i ikësh kësaj beteje përcaktuese midis këtyre parimeve e gjithçkaje që shkon kundër tyre është t’i ikësh detyrës për të mbrojtur veten, për të mbrojtur vendet tona, fëmijët tanë, botën tonë.

Ndërkohë që bota pret që Rusia t’i thërrasë arsyes, të ndalë luftën dhe të angazhohet në bisedime për paqe, vetëm pak ditë më parë Kremlini bëri një zgjedhje tjetër, atë të përshkallëzimit, duke shpallur mobilizim të pjesshëm që do të thellojë konfliktin, do të shkaktojë më shumë krime, më shumë viktima, më shumë mjerim, por gjithashtu dhe që do ta turpërojë dhe më shumë Rusinë. Referendume farsë po zhvillohen në disa pjesë të territorit të pushtuar të Ukrainës nën kërcënimin e pushkës.

Është e vështirë të imagjinosh që ndokush këtu mund të pranojë në heshtje këtë shpërfillje kaq të turpshme të ligjeve, rregullave, normave, praktikave që qeverisin marrëdhëniet midis shteteve në shekullin XXI. Këto veprime shkojnë përkundër së drejtës ndërkombëtare e jo vetëm. Ato jo vetëm nuk reflektojnë vullnetin e lirë të popullit të Ukrainës, por ofrojnë një spektakël mizerabël të shkëputjes nga gjithçka që na sjell bashkë nën çatinë e Kombeve të Bashkuara. Ne i dënojmë këto veprime të fabrikuara në Moskë dhe nuk njohim asnjë prej këtyre paligjshmërive", tha Rama, raporton noa.al.

Në vijim ai foli për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë që tha se vijnë prej Iranit:

"Ditët e sotme teknologjia është pjesë e çdo aspekti të jetës sonë. Në Shqipëri 95% e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve ofrohen online. Këto sisteme miqësore me përdoruesin kursejnë kohën, energjinë dhe përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme efikasitetin, cilësinë duke qenë edhe instrumentet më të mira për të eliminuar korrupsionin endemik, por korrikun e kaluar Shqipëria qe objekt i një sulmi masiv të paprovokuar kibernetik. E gjithë infrastruktura dixhitale qeveritare u gjend në një sulm të përqendruar e të bashkërenduar me synimin e qartë për ta shkatërruar atë, për të paralizuar shërbimin publik e për të vjedhur të dhëna e komunikime elektronike nga sistemet qeveritare, duke krijuar kaos e për të nxitur tensione në vend.

Një hetim i thelluar, i gjatë e tërësor i kryer me ekspertizën më të mirë botërore kundër terrorizimit kibernetik ka konfirmuar përtej çdo dyshimi që sulmi kibernetik që donte të gjunjëzonte një vend sovran ishte një agresion i sponsorizuara shtetëror, orkestruar dhe kryer nga Republika Islamike e Iranit.

Kësisoj përballur me një shkelje kaq flagrante të normave për një sjellje të përgjegjshme të një shteti në hapësirën kibernetike në një kohë paqeje që përfshin dhe mos dëmtimin e infrastrukturës kritike që ofron shërbime për publikun, qeveria shqiptare nuk pati asnjë zgjedhje tjetër, por vetëm të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Ne shpresojmë që kjo masë ekstreme e detyruar do jetë shembull, edhe parandalues, për këdo që mbështet apo sponsorizon veprime të tilla të neveritshme kundër shteteve sovrane".

Në këtë pikë, Rama i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe Këshillit të Sigurimit, "të përqëndrohet më seriozisht dhe më konkretisht për të trajtuar sigurinë kibernetike, duke investuar në parandalim dhe duke ndihmuar të gjitha shtetet anëtare që të ndërtojnë qëndrueshmëri e rezistencë".

Në pjesën e tretë të fjalimit të tij të gjatë, Rama fshikulloi Serbinë dhe kritikoi akuzat ndaj Kosovës për krime kundër njerëzimit: "Sa përmendet fjala Ballkan, vë bast që në mendjen e gjithkujt vijnë imazhet e njollosura të luftrave të përgjakshme, të krimeve mizore; do kujtoni, me të drejtë, vragat e represionit, shtypjes dhe gjenocidit në Srebrenicë dhe të spastrimit mizor etnik në Kosovë. Asgjë nga këto nuk është dhe nuk do të harrohet.

Llogaridhënia është e pranishme dhe do të vazhdojë dhe ne duhet që të dyfishojmë përpjekjet që të bëjmë të mundur që të ndjekë rrugën e saj e pa penguar. Kjo kërkon angazhim me vendosmëri ndaj idealeve të drejtësisë dhe mbi të gjitha, bashkëpunim midis palëve.

Drejtësia qëndron në themelet e çdo përpjekjeje për paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet, por drejtësia shërbehet me fakte, me prova, me të dhëna dhe jo me trille apo realitet të shtrembëruar. Nuk mundem të mos ndaj këtu me ju një shembull të tmerrshëm, që duhet të jetë një mësim për gjithë botën dhe mbi të gjitha, së pari, për botën demokratike.

Në vitin 2011, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi një raport, përpiluar nga një parlamentar i zellshëm, i cili mban emrin Dick Marty, e ku akuzohej ushtria e Kosovës për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve. Marty duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej si raportues i Këshillit të Evropës. Raporti i tij ishte tronditës, e jo vetëm shumë, asokohe, i besuan, por u shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe ngritjes së dhomave të specializuara të gjykatës për Kosovës. Po kështu, u bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar, lloji i manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës.

Çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 viteve të gjata për t’i vërtetuar këto akuza në nivel kombëtar, rajonal e ndërkombëtarisht, por më kot, asgjë, asnjë grimë prove a treguesi nuk u gjet askund në Kosovë apo dikund tjetër që kishte të bënte me trafikimin e dyshuar e të pretenduar të organeve.

E megjithatë, dhomat e specializuara për Kosovën, që u ngritën bazuar në këtë raport, ndërkohë që flasim, kanë arrestuar pa padi presidentin e Kosovës Hashim Thaçin. Ai priti një vit në burgim derisa u akuzua zyrtarisht. Përpiquni ta imagjinoni të gjithë për një moment, presidenti apo kryeministri juaj, udhëheqësi i vendit tuaj që merret nga zyra, çohet në një vend të tretë, mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akt-akuzë zyrtare nga një organizëm i krijuar dhe sponsorizuar nga një komunitet vendesh demokratike e pa gjejeni? As edhe një fjalë e vetme e gjithë akt-akuzës që vijoi nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Evropës për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve. Një fantazi e tërë. Ky është një dështim monumental në nivel ndërkombëtar dhe nuk ka të bëjë me një person, nuk ka të bëjë me procedurat e gjykatës; ka të bëjë me njollosjen e papërshtatshme të një vendi dhe historisë së tij.

Megjithatë, duke qenë se demokracia e institucionit të saj, mes shumë virtyteve, kanë edhe atë të korigjimit të fajeve dhe gabimeve të tyre, ne mendojmë që dhe shpresojmë që, saktësisht, Asambleja e Këshillit të Europës do të nderojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizate kaq të rëndësishme ndërkombëtare.

Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kjo e vërtetë dhe kurrë nuk do ndalim së nderuari ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e tyre dhe për të cilët askush, në emër të askujt, nuk mund të hedhë as edhe një grimë balte", theksoi Rama.

Në fund, Rama i bëri thirrje Serbisë, që të njohë Republikën e Kosovës dhe shtoi: "Është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit aktual në dialogun e tyre dhe të punojë me kurajë drejt një marrëveshjeje gjithpërfshirëse paqeje, duke bërë rolin e tyre përkatës për të miratuar një marrëveshje të mbështetur nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dialogu nuk ështe vetëm rruga më e mire, por rruga e vetme dhe e patjetërsueshme për t’u marrë me këto çështje, sado të vështira të duken dhe sado komplekse të jenë. Mbetem i bindur që Ballkani i Hapur vetëm sa do të ndihmojë të lehtësojë këtë proces për të mirën e të gjithëve, të shqiptarëve dhe të serbëve, të Kosovës dhe Serbisë por edhe për rajonin dhe Europën më gjerë". /noa.al