Transmetuar më 23-09-2022, 11:23

TIRANË- Ministrja Evis Kushi ka dalë me një njoftim zyrtar për mbylljen e shkollës ‘Mehmet Akif Ersoy’. Kushi hedh poshtë të gjitha spekulimet se vendimi lidhje me kërkesën e Erdogan për dëbimin e ‘gylenistëve’. Ajo thekson se shkolla nuk i plotësonte kriteret ligjore si dhe shton se licensa duhet të revokohej. Më tej, ajo shton se ministria do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standartet e funksionimit.

NJOFTIMI I MINISTRES:

SQARIM PËR OPINIONIN PUBLIK

Nisur nga interesimi dhe spekullimet në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”, sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë. 1. Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës. 2. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre. 3. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet. Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve. Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.

Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekullimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi. Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron të gjithë të interesuarit për këtë çështje, se në këtë fillimviti shkollor nuk janë vënë re raste të tjera shkeljesh të së njëjtës natyrë dhe kriteret e standardet ligjore janë të përmbushura për të gjithë nxënësit e tjerë të shkollave jopublike.

Çfarë ka ndodhur me shkollat e Turgut Ozal:

Katër ditë më parë kopshti jopublik "Zübeyde Hanım", i cili është pjesë e shkollave Turgut Ozal me anë të një njoftimi shpërndarë prindërve njoftonte se me kërkesë të Ministrisë së Arsimit ky kopësht do të mbyllej. Ndërkohë me anë të një VKM-je (Vendim i Këshillit të Ministrave) është vendosur dhe mbyllja e Institucionit Arsimot “Mehmet Akif Ersoy". Deri më tani nuk kemi ende asnjë deklaratë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në lidhje me këto vendime të qeverisë.

Ditën e djeshme, qeveria shqiptare mori vendimin të mbyllë veprimtarinë e institucionin arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”. Në VKM theksohet se ky institucion ka për detyrë të pajisë çdo nxënës me dokumentet e nevojshme për transferimin e nxënësve në një tjetër shkollë, të pagujë detyrimet e transferimit dhe tu kthejë paratë që kanë paguar për vitin shkollor. Në VKM shtohet gjithashtu se godina duhet t’i kthehet shtetit shqiptar.