Transmetuar më 20-09-2022, 23:01

Një nga vëllezërit e akuzuar nga media meksikane si të përfshirë në një kartel droge, ka reaguar në median shqiptare duke folur për akuza të papranueshme dhe të pavërteta.

Ai deklaroi se shkrimi në gazetë është bërë nga konkurrentët duke pohuar se nuk është hera e parë që ndaj tij e bizneseve të tija ka sulme të tilla mediatike.

Gjatë intervistës, ai tha se ka biznese në Meksikë, Belize dhe Kanada dhe se nuk ka kryer asnjë aktivitet të paligjshëm gjatë gjithë karrierës së tij.

Ai publikoi një dokument të autoriteteve meksikane të cilat pas hetimit nuk kanë gjetur asnjë shkelje në bizneset e tij.

Po kështu ai i quajti të pavërteta akuzat e pretendimet e gazetarëve shqiptarë lidhur me personin apo veprimtaritë e tij duke pohuar se nuk kanë asnjë fakt dhe se janë të gjitha false.

Ai shtoi se në të gjitha vendet ku operon, i është nënshtruar verifikimeve mbi biznesin, personin e tij, të ardhurat dhe në asnjë rast nuk është gjetur asnjë shkelje.