Transmetuar më 19-09-2022, 08:45

Diplomacia në Rumani është tronditur orët e fundit, pasi ish ministri i Jashtëm, Andrei Marga, ka bërë thirrje publikisht që Ukraina t’i lëshojë territore si Rusisë, ashtu edhe Rumanisë, Hungarisë dhe Polonisë. Ky është një mesazh identik me atë të Vladimir Putinit me të cilin ky ka justifikuar pushtimin e Ukrainës.

Këto deklarata, Andrei Marga, ministër në qeverinë e Victor Ponta, i bëri në Alba Iulia, Rumani, gjatë një eventi ku lançoi librin e tij “Fati i Demokracisë”.

"Ne jemi në një situatë absolutisht të veçantë dhe e them me gjithë përgjegjësinë, Ukraina është në kufij të panatyrshëm. Ajo duhet t’i lëshojë territore Hungarisë – lokalitetin Transcarpathia, Polonisë – Galicia, Rumanisë – Bukovina dhe Rusisë – Donbass dhe Krimean. Ato janë territore të vendeve të tjera, nuk i përkasin Ukrainës", tha ai.

Ish-ministri rumun i Punëve të Jashtme (dhe Arsimit), filozofi dhe politologu Andrei Marga paralajmëroi se nëse Ukraina nuk i dorëzon territoret Rusisë dhe tre fqinjëve të tjetë, konflikti nuk do të ndalet, citon noa.al, portalin rumun digi24. Marga shtoi se tani për tani konflikti mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave me Rusinë dhe ndërmjetësimit të SHBA-së, Gjermanisë dhe Kinës.

"Le të jemi shumë të qartë – për sa kohë që situata nuk zgjidhet përmes një diskutimi me Amerikën, dhe Rusinë, dhe Gjermaninë, dhe Ukrainën dhe Kinën, dhe nuk arrihet një marrëveshje, nuk do të ketë paqe në Evropë. Duke mos pasur paqe, demokracia do të vuajë”, tha Andrei Marga, duke folur për luftën në Ukrainë.

Përveç kësaj, ai vuri në dukje se në Ukrainë "ne nuk po flasim për demokraci":

“Ka ende shumë rrugë për të shkuar drejt demokracisë. Aty janë të ndaluara partitë politike dhe televizioni kontrollohet nga njëra prej atyre pak që gjenden. Disa njerëz shumë të pasur largohen nga vendi mbushur me parà. Një vend nga ku ikin njerëzit duke lënë gjithçka pas, nuk mund të jetë as demokratik dhe as i zhvilluar”, tha profesori dhe diplomati i njohur.

Reagimi i fortë i Ukrainës

I fortë ka qenë reagimi i ambasadës së Ukrainës në Bukuresht, e cila në postimin e saj në Twitter thotë se deklarata të tilla janë të papranueshme në asnjë rrethanë:

“Është një shkelje veçanërisht flagrante në një kohë kur Ukraina po mbron heroikisht pavarësinë e saj dhe sigurinë e të gjithë Evropës”, ​​u shpreh ambasada ukrainase.

Ajo shton: “Na vjen keq që ish-ministri i shtetit demokratik evropian, Marga, bën deklarata që vënë në dyshim parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht paprekshmërinë e kufijve. Respektimi i plotë i këtyre parimeve është baza e sigurisë dhe stabilitetit në kontinent." /noa.al