Transmetuar më 18-09-2022, 21:58

Qeveria greke ka frikë se Turqia po punon për të rikthyer perandorinë otomane që sundoi për 500 vjet në Greqi, Shqipëri, e plot vende të tjera.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dhendias, në një intervistë për gazetën e Athinës, Parapolitika, shpreh frikën se Erdogan po depërton gjithnjë e më shumë në rajon.

"Ekziston shqetësimi për ndikimin jo vetëm të Turqisë, por edhe të fuqive të tjera në Ballkan duke shfrytëzuar lidhjet historike dhe ekonomike. Por Ballkani e ka vendin në BE dhe jo të shërbejë për rindërtimin e Perandorisë Osmane", thotë Dhendias.

Ai shton se fatmirësisht vendet e Ballkanit e kanë bërë të qartë aspiratën e tyre dhe qasje strategjike e kanë me BE-në.

Këtu ai thur disa elozhe për Edi Ramën: “Më lejoni t’ju jap një shembull: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të cilin e njoh mirë, mban marrëdhënie të përzemërta me presidentin turk. Megjithatë, kjo nuk e pengon atë të jetë një nga përkrahësit më të rëndësishëm të perspektivës evropiane të vendit të tij. Një perspektivë e cila do të thotë se Shqipëria do të vërë në jetë plotësisht një kod parimesh dhe vlerash në kundërshtim me revizionizmin, riekzaminimin kritik të historisë. Evropa është e ardhmja e Ballkanit dhe jo rindërtimi i Perandorisë Osmane”, thotë Dhendias.

Deklaratat e Dhendias vijnë në momentet kur Athina po dridhet nga tensionet me Turqinë të cilat duket se po rëndohen gjithmonë e më shumë. Turqia ka një fuqi ushtarake shumë herë më të madhe se Greqia dhe është anëtare e NATO-s, si vend me ndikim të fortë tek shtetet më të fuqishme të botës. /noa.al

Nuk ndalet Greqia: E duam detin dhe do zgjerohemi 12 milje