Transmetuar më 18-09-2022, 21:20

Në fillim e ndoqën, ruajtën vendin ku ishte, e qëlluan befasisht duke e lënë të vdekur dhe më pas u zhdukën me shpejtësi. Në fund, për të zhdukur edhe gjurmët, i vunë flakën motorit me të cilin kryen krimin dhe tani nuk gjenden.

Kjo është skema që u përdor sonte për vrasjen e djalit 19 vjeçar nga Shkodra, Erjon Xhenje. Një skemë që po përdoret rëndom kohët e fundit në Shqipëri, me vrasje që po mbeten të pazbardhura dhe disa dyshojnë se janë përfshirë edhe vrasës me pagesë.

Erjon Xhenje ishte duke pirë një kafe në një lokal në bulevardin e qytetit, kur persona të panjohur iu afruan dhe e qëlluan me armë zjarri.

Pak minuta më pas, një motor me të cilin kishin kryer vrasjen autorët, u gjet i djegur jo larg vendngjarjes, një krim tipik ky që vjen në vazhdën e krimeve të pazbardhura.

Policia tha se rreth orës 20:10, në bulevardin "Bujar Bishanaku", në lagjen "Naim Gjylbegu", në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi Erion Xhenje, 19 vjeç, banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë.

Në lagjen "Guerrile" është gjetur një motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.