Transmetuar më 14-09-2022, 14:57

Qeveria doli edhe një herë sot para publikut për të folur mbi disa ndryshime që prekin jetën e qytetarëve duke nisur nga data 1 tetor 2022.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, foli për indeksimin e pensioneve dhe disa pagave.

Ajo përmendi se të gjitha kategoritë e pensioneve do të rriten 6 për qind. Kurse pagat e administratës publike, 7 për qind, në zbatim të detyrimit ligjor për indeksimin e inflacionit.

Ndërkohë, nga 1 tetori, për të punësuarit dhe të vetëpunësuarit, paga minimale e detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore do të jetë 34 mijë lekë, duke shënuar rritjen e barrës fiskale për herë të dytë brenda këtij viti dhe për herë të tretë në harkun njëvjeçar.

Po nga 1 tetori, dhe siç Qeveria ka thënë, për një periudhë 15 mujore, familjet që harxhojnë mbi 800 kwh energji elektrike, çdo kilovat më shumë do ta paguajnë me 50.4 lekë nga 11.4 lekë që paguhet deri tani.

Në çmimin e ri përfshihen vlera 35 lekë bruto për kwh, 7 lekë tarifë transmetimi dhe 20 për qind tvsh, në total, 50.4 lekë për kwh.

Kështu, nëse një familje harxhon 800 kwh në muaj, do të vazhdojë të paguajë 9.120 lekë në faturën mujore, plus pagesa të tjera të mundshme si ndriçim ambientesh të përbashkëta, tarifë fikse mujore dhe taksën e përmuajshme për tv publik.

Sakaq, nëse një familje, sidomos gjatë dimrit, shpenzon 1600 kwh, nëse deri tani paguan 18.240 lekë, nga 1 tetori do të ketë faturë jo më pak se 49.440 lekë, ku 40.320 lekë janë 800 kwh e dyta që pesëfishohen më shtrenjtë në faturë.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e tij Belinda Balluku thanë se vetëm 4 për qind e familjeve, dhe ata, pronarë vilash, do të paguajnë më shtrenjtë energjinë.

Megjithatë, një vëzhgim në familje të ndryshme, kryesisht me fëmijë, si dhe komentet e qytetarëve në rrjetet sociale, e hedhin poshtë tezën e qeverisë duke theksuar se shumë prej tyre, paguajnë për mbi 1 mijë deri 1600 kwh konsum mujor.

Është e paqartë si e fiksoi çmimin gati pesëfish më shtrenjtë qeveria dhe pse ndryshoi qëndrim. Pak ditë para se Rama të dilte me çmimin e ri, ministrja e tij Balluku tha se për kilovatët mbi fashën 800, do të pësonin dyfishim çmimi, pra nga 9.5 në 19 lekë pa tvsh. Kjo nuk ndodhi. Çmimi shkoi në 35 lekë pa TVSH, u shtua 7 lekë për kwh tarifë transmetimi dhe mbi këto, 20 për qind tvsh, tatimi më i lartë në rajon për familjet.

Ekspertë të energjisë që kanë dijeni për prodhimin dhe shitblerjen në institucionet shtetërore si KESH, OST, OSHEE dhe FSHU, thonë se vendi prodhon çdo vit midis 80 deri 85 për qind të nevojave për energji dhe pjesa tjetër importohet. Prodhimi në vend del me koston 2.1 lekë që KESH ia shet OSHEE-së e cila ua tregton familjeve me çmimet e mësipërme. /noa.al