Transmetuar më 12-09-2022, 15:16

Shqiptarët duket se duhet të tremben tani më shumë nga zhvillimet me fqinjët sesa me luftën Rusi-Ukrianë që ka tronditur botën, sepse për herë të parë sot, qeveria turke ka lëshuar një ultimatum paralajmërues ndaj Greqisë duke e njoftuar se "nëse futeni në aventurë për llogari të të tjerëve, do t’i vuani pasojat siç i keni vuajtur në të kaluarën".

Deklarata u bë sot nga Ministri i Jashtëm turk, i cili i bëri thirrje Greqisë që të mos jetë “mjet” i të tjerëve dhe t’i japë fund provokimeve të saj.

Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, duke iu referuar atyre që i cilësoi provokime të vazhdueshme nga Greqia, paralajmëroi Athinën që të mos futen në aventurë për llogari të të tjerëve, raporton noa.al duke cituar Anadolu Agency.

“Ndërsa ne përpiqemi të respektojmë të drejtat tona të fqinjësisë në të dy anët e Egjeut, Greqia vazhdon ende provokimet dhe kërkon telashe. Nëse hyni në një aventurë për llogari të të tjerëve, do t’i vuani pasojat sot si në të kaluarën. Ky është një paralajmërim për fqinjin tanë Greqinë”, tha Çavuşoğlu në një simpozium mbi Betejën e Sakarya-s të vitit 1921 duke nënkuptuar kështu se Greqia mund të përballet me luftë dhe pushtim si shumë kohë më parë kur perandoria turke pushtoi plot vende të botës.

Ministri i Jashtëm turk i bëri thirrje Greqisë që të mos jetë “mjet” i të tjerëve dhe t’i japë fund provokimeve të saj.

Turqia, anëtare e NATO-s ashtu si Greqia, është ankuar për ato që i cilëson veprime dhe retorikë e përsëritur provokuese nga Greqia në rajon gjatë muajve të fundit, duke përfshirë armatimin e ishujve pranë brigjeve turke që janë çmilitarizuar sipas një traktati të shekullit të kaluar. Për Ankarasë, hapa të tillë pengojnë përpjekjet për paqe.

Duke e përkufizuar diplomacinë turke si “sipërmarrëse dhe humanitare”, Çavuşoğlu tha se vendi i tij mbron të drejtat dhe interesat e tij në të gjitha platformat.

“Ne kemi projekte që do të kontribuojnë për paqen dhe prosperitetin jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në nivel global”, theksoi ai.

ANALIZA: A ka mundësi që Greqia dhe Turqia të hyjnë në luftë? Katër faktorët përcaktues

Michael Rubin

Debati për një konflikt të mundshëm greko-turk mund të ketë vazhduar prej shumë vitesh, me intensitet të luhatshëm, por vihet re se sot ai është ndezur si kurrë më parë dhe për më tepër, në sfondin e pushtimit rus ndaj Ukrainës që shumëkush e pa, ishte sa i papritur aq dhe i pabesueshëm për mbarë botën.

Katër faktorët përcaktues

Analisti Michael Rubin, thotë se kërcënimet në rritje të Presidentit Recep Tayyip Erdogan kundër Greqisë duhet të alarmojnë botën. Në të vërtetë, tensioni midis dy anëtarëve të NATO-s nuk është i ri, madje vijon prej dekadash. Megjithatë, katër faktorë e bëjnë krizën aktuale të ndryshme.

Së pari, Erdogan kërkon të rishikojë – gjithmonë në favor të Turqisë – Traktatin e Lozanës që vendosi kufijtë e Turqisë me Greqinë dhe Bullgarinë. Ai thotë se Greqia shkel marrëveshjet e çmilitarizimit.

Së dyti, ekonomia e Turqisë po bie. Erdogan erdhi në pushtet dy dekada më parë në sfondin e pakënaqësisë së gjerë ndaj inflacionit, dobësisë së lirës turke dhe korrupsionit të elitës në pushtet. Sot, inflacioni kalon 80 për qind dhe lira turke ka humbur më shumë se 80 për qind të vlerës së saj gjatë pesë viteve të fundit. Në këto kushte duket se ai kërkon një krizë për të shpërqendruar. Marrja e ishujve grekë dhe guximi i Athinës për të reaguar do të ishin skenari i përsosur. Mos harrojmë se Turqia është një vit larg zgjedhjeve thotë analisti dhe thekson se nëse Erdogan beson se mund ti humbë thellë zgjedhjet, atëherë ai do të ndezë një krizë dhe do të shpallë një emergjencë kombëtare. Dhe një luftë me Greqinë do të ishte ilaçi i përsosur", thuhet ndër të tjera në analizën e Rubin që në pjesën tjetër të shkrimit të tij pozicionohet qartë pro Greqisë. /noa.al