Transmetuar më 10-09-2022, 18:28

Organizohet Galaja e Festës së Mesvjeshtës e CMG-së

Festa e Mesvjeshtës, një ndër më të mëdhatë në Kinë, është një kohë për të admiruar hënën e plotë, për të ngrënë kekë hëne dhe për t’u mbledhur me familjen.

Sivjet Festa e Mesvjeshtës ra më 10 shtator dhe, me këtë rast, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) zhvilloi një gala me shfaqje të ndryshme dhe teknologji të përparuar audio-vizuale.

Gala u mbajt në Zhangjiagang të Suzhou-t, në provincën Jiangsu të Kinës Lindore. Përveç temës së hënës, në të u shpërfaq gjithashtu kultura e pasur lokale e Suzhou-t.

Nëpërmjet një ndërthurjeje të origjinalitetit, artit dhe teknologjisë, kjo shfaqje madhështore pasqyron forcën tërheqëse të kulturës kineze dhe peizazhet spektakolare.

Këtë vit, astronautët e misionit hapësinor me ekuipazh “Shenzhou-14” Chen Dong, Liu Yang dhe Cai Xuzhe, të cilët do të qëndrojnë për gjashtë muaj në orbitë, u bënë të parët që e kanë kaluar Festën e Mesvjeshtës në stacionin hapësinor kinez.

Tre astronautët kinezë regjistruan një video ekskluzive për galanë e CMG-së, duke u dërguar urimet e tyre për Festën e Mesvjeshtës kinezëve në mbarë botën.

Galaja u përqendrua tek arti popullor, duke demonstruar bukurinë e kulturës tradicionale kineze, me një këngë për Zotin Lepur, i njohur si Tu’er Ye, i cili simbolizon shëndetin dhe sigurinë në kulturën e Pekinit të lashtë.

Efektet teknologjike ishin një tjetër pikë kulmore e galasë. Integrimi i skenave në natyrë, pamjeve të realitetit të zgjeruar (XR) dhe skenave reale të maleve dhe lumenjve, i çoi shikuesit në mjedise të ndryshme.

CMG-ja dërgoi autobusë 4K/8K UHD OB që kanë marrë pjesë në transmetimin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit për të prodhuar pjesët e Galasë së Festës të Mesjeshtës.

Mbi 200 ekrane të mëdha me qartësi ultra të lartë u vendosën në më shumë se 22 bashki dhe provinca, duke përfshirë Pekinin, Shangain, Chongqing-un, Guangdong-un, Fujian-in, Zhejiang-un, Sichuan-in, Shandong-un, Jilin-in dhe Liaoning-un.

Në skenë u vunë këngë dhe valle, simfoni dhe pjesë operash tradicionale, të ndërthurura me skeçe dhe komedi muzikore, të gjitha me elemente të zakoneve tradicionale të Festës së Mesvjeshtës. Artistë e interpretues nga pjesa kontinentale e Kinës dhe Hong-Kongu, Makaoja e Tajvani kontribuuan për të dhuruar një festë audio-vizuale të hareshme e festive.

Galaja u transmetua për audiencën globale në orën 20:00 të së shtunës nëpërmjet kanaleve dhe radiofrekuencave të ndryshme të CMG-së, si dhe platformave të mediave sociale jashtë vendit.

Galaja e këtij viti ka tërhequr vëmendje të gjerë nga mediat vendase e të huaja, dhe shumë media kryesore ndërkombëtare kanë bërë njoftime lidhur me të.

Festa e Mesvjeshtës kremtohet në ditën e 15-të të muajit të tetë sipas kalendarit hënor kinez, kur hëna është më e plotë dhe më e ndritshme. Sivjet ajo bie më 10 shtator sipas kalendarit ndërkombëtar. Festa tradicionale e Mesvjeshtës është një kohë e rëndësishme e ribashkimit familjar. Njerëzit në shumë vende po e kremtojnë atë me veprimtari të ndryshme kulturore.