Transmetuar më 06-09-2022, 22:36

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar orët e fundit për konfliktin e lindur mes Turqisë dhe Greqisë pasi Athina sugjeron se Ankaraja po kryen kërcënime të përshkallëzuara dhe pretendime ndaj ishujve grekë.

Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit në Uashington, tha se "në një kohë kur Rusia ka pushtuar përsëri një shtet sovran evropian, deklaratat që mund të rrisin tensionet midis aleatëve të NATO-s janë veçanërisht kundërproduktive".

Ai vazhdoi: "Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të inkurajojnë aleatët e NATO-s që të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes diplomacisë.

Sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet dhe të mbrohet. Sovraniteti i Greqisë mbi këto ishuj nuk është i diskutueshëm. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga retorika dhe veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet”.

Turqia muajt e fundit ka rritur kritikat ndaj Greqisë duke e akuzuar se ka vendosur trupa ushtarake në ishujt e Egjeut lindor, pranë bregdetit turk dhe në shumë raste, të dukshme nga bregu.

Këta ishuj duhej të çmilitarizohen sipas Traktatit të Lozanës së vitit 1923 dhe Traktatit të Parisit të vitit 1947, kështu që çdo trupë apo armë në ishuj është rreptësishtë e ndaluar. /noa.al

Në foto: Erdogan gjatë vizitës së tij në 17 janar 2022 në Tiranë. 📸NOA/LSA