Transmetuar më 06-09-2022, 22:12

KOSOVË- Studiuesi i fesë islame Labinot Maliqi, njëherësh imam në një nga xhamitë në Prishtinë, është kërcënuar javën që shkoi, nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social Facebook. Ai i tha Zërit të Amerikës se u kërcënua pak kohë pasi kishte ripublikuar një intervistë të tij të mëhershme në një nga televizionet lokale në Kosovë.

“Para disa dite e kam ripublikuar një video të një interviste që e kam mbajtur para një viti, ku kam folur për rëndësinë, vlerën dhe kontributin jetik që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me prezencën dhe mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës. Në këtë rast, në komentet që janë bërë në atë video, kam pasur edhe një kërcënim, i cili është mbështetur nga gjashtë persona duke e pëlqyer kërcënimin e tij ndaj meje, ku qafa ime është e duhur për t’u prerë sipas tij”, tha ai.

Policia e Kosovës në raportin e vet të përditshëm të datës 3 shtator kishte njoftuar për këtë rast. “Lidhur me ngjarjen është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e policisë. Deri në përgatitjen e këtij materiali, policia e Kosovës nuk i është përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për të marrë më shumë hollësi lidhur me këtë ngjarje. Zoti Maliqi thotë se kërcënime të ngjashme ka pasur edhe më herët, dhe se sipas tij ato vijnë nga njerëz që nuk e njohin mirë besimin islam.

“Kemi pasur aty këtu kërcënime edhe më përpara sepse që nga viti 2016 ne kundërshtojmë çdo individ apo grupacion i cili thirret në emër të fesë dhe u bën dëm të tjerëve, i terrorizon të tjerët, e kjo natyrisht terroristi apo ekstremisti asnjëherë nuk mund të quhet mbi bazën e fesë që ai predikon për shkak se asnjë fe nuk predikon natyrisht mbi themelet e saj ekstremizëm apo kërcënim ndaj atyre të cilët nuk i përkasin besimit të caktuar”, thotë ai.

Studiuesi Maliqi, i cili njëherësh është drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Paqe, thotë se në Kosovë nuk duhet lejuar asnjë lloj ekstremizmi.

“Shteti i Kosovës duhet të jetë i vëmendshëm, sidomos organet e rendit, ato të anti terrorizmit, në çdo aspekt të bashkëpunojnë me Bashkësinë Islame, nuk dyshoj se bashkëpunojnë, për të mirën e përbashkët sepse edhe qëllimi i Bashkësisë Islame edhe qëllimi i secilit qytetar, edhe qëllimi it ë gjitha institucioneve të Kosovës është për të pasur rend dhe ligj e siguri për të gjithë pa dallim në Kosovë, prandaj ne jemi këtu për të mirën e përbashkët që t’i krijojmë siguri njëri tjetrit, për të paqur një paqe të përbashkët”.

Zoti Maliqi thotë se është në pritje të autoriteteve të rendit për të marrë më shumë informacione lidhur me rrjedhën e hetimeve për rastin e kërcënimit ndaj tij. VOA