Transmetuar më 05-09-2022, 07:29

Tiranë- Shqipëria renditet e treta në Europë pas Bjellorusisë dhe Rusisë për çmimet më të shtrenjta të apartamenteve, në raport me fuqinë blerëse, sipas të dhënave të Numbeo-s për periudhën janar-korrik 2022.

Indeksi për përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti që matet nga raporti i çmimit mesatar të shitjes së shtëpive dhe të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, e shprehur si vite të ardhurave, për Shqipërinë është 15,8.

Çka nënkupton që një familje shqiptare i duhen rreth 16 vite të ardhura për të blerë një apartament. Indeksi merr për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie për 20 vjet. Sa më u ulët të jetë ky raport, aq më të lehtë e kanë familjet për të blerë një shtëpi.

Për Bjellorusinë që vlerësohet si shteti më i shtrenjtë për çmimet e apartamenteve, një familje i duhen 17,4 vite të ardhura, ndërsa në Rusi që klasifikohet e dyta një familje i duhen 16,8 vite, citon Monitor.

Në raport me vendet e rajonit shteti më i lirë renditet Kosova. Indeksi i përballueshmërisë për blerjen e një apartamenti në Kosovë është 11,7 vite. Më pas vjen Maqedonia e Veriut 12,7 vite, Mali i Zi me indeks 13,3 dhe Serbia me indeksin 14,8.

Çmimet e apartamenteve rriten, pagat reale bien

Përkeqësimi i aftësisë blerëse të një apartamenti lidhet me rritjen shumë më të ulët të të ardhurave, apo rënien e tyre në terma realë (e indeksuar për inflacionin) në raport me shtrenjtimin e shtëpive.

Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të tremujorit të parë 2022, paga mesatare në vend ishte 59 mijë lekë, me një rënie prej 0.5% në krahasim me fundin e 2021-t (kur pagat rriten për shkak të shpërblimeve) dhe 5.7% më shumë se të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, duke pasur parasysh që inflacioni e ka kaluar nivelin prej 7%, rritja reale e pagave është negative.

Nga viti 2014 (periudha më e hershme kur INSTAT raporton të dhënën), paga nominale mesatare në vend sipas INSTAT është rritur me 25% deri në fund të vitit 2021. E indeksuar me inflacionin mesatar vjetor, rritja e pagave në 7 vjet është vetëm 12%.

Ndërsa sipas Indeksit të Bankës së Shqipërisë, çmimet e apartamenteve janë rritur me 60% për të njëjtën periudhë.

Rritja reale e pagave me 12% dhe ajo e apartamenteve me 60% në 7 vitet e fundit ka përkeqësuar dukshëm aftësinë blerëse të familjeve që jetojnë me të ardhura normale. Tendenca është përkeqësuar në vitin 2022 për shkak të inflacionit të lartë.