Transmetuar më 02-09-2022, 17:12

Ekzekutohet pranë banesës së tij në lagjen Kiras" ("Guerrile") të qytetit të Shkodrës, Ismet Çekorja, burri që pak ditë më parë u ankua në media për kontrollet e shpeshta policore në banesën e tij. Një vrasje e mistershme dhe me të dhëna të pakta për dinamikën e krimit.

I ndjeri ishte babai i Bajram Çekores, i shpallur në kërkim për atentatin e pak ditëve më parë në lagjen Rus.

Burri që vdiq sot nga të shtëna me armë zjarri, pak ditë më parë denoncoi se shtëpia e tij ishte gjithmonë objekt i kontrollit të policisë për çdo vrasje.

Madje dhe për atentatin e fundit që kishte ndodhur në Shkodër, ai tha se djali i tij Bajram Çekorja ishte i pafajshëm.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur mbledhjen e provave materiale apo dhe dëshmive.

Kush është Ismet Çekorja 

Më datë 29 Gusht, Ismet Çekorja u bë protagonist në media kur nga Shkodra doli para kamerave duke kërkuar drejtësi për djalin e tij që është shpallur në kërkim për një atentat të dështuar.

I ndjeri Ismet Çekorja është babai i Bajram Çekores, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës si një nga autorët e atentatit të dështuar ndaj Alban Bruçit. Ismet Çekorja mohoi akuzat që rëndojnë ndaj djalit të tij duke pretenduar se janë të gjitha inskenime.

Çfarë ndodhi sot në lagjen "Guerrile" në Shkodët

Në lagjen “Guerrile”, në Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi Ismet Çekorja, 57 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, Shkodër, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Çekorja u ekzekutua me armë zjarri në rrethana të paqarta, pranë ish shkollës veterinare. Ai është qëlluar me shtatë plumba.

Në vendngjarje ka shkuar policia dhe ka rrethuar skenën e krimit duke mbledhur provat që mund të çojnë në zbardhjen e vrasjes.

Policia nuk e ka gjetur autorin e vrasjes dhe thotë se është vënë në kërkim.

Çfarë ndodhi më 25 Gusht 2022 në lagjen "Rus", Shkodër 

Më datë 25 gusht 2022, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Alban Bruçi.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, kur 25 vjeçati Bruçi, ka kallëzuar se, në lagjen "Partizani", Shkodër është qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit tip "Audi".

Nga të shtënat nuk ka persona të dëmtuar.

Dy ditë më pas policia lokale tha se zbardhi ngjarjen dhe bëri identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasve: Tonato Fushaj, 20 vjeç dhe Bajram Çekorja, 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera për këtë ngjarje, ka rezultuar se para 2 vitesh, Alban Bruçi është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin Tonato Fushaj. Ky konflikt tha policia, dyshohet të jetë motivi pse Tonato Fushaj dhe Bajram Çekorja qëlluan me armë zjarri, mbrëmjen e datës 25 gusht 2022, automjetin që drejtohej nga shtetasi Alban Bruçi.