Transmetuar më 01-09-2022, 18:58

Në vitin 1972 një aeroplan u rrëzua në Ande. Pasagjerët e mbijetuar u detyruan të hanin kufomat e të tjerëve për të mbijetuar. Historia e tyre u karakterizua nga rrjetet amerikane si "Mrekullia e Andeve"

nga Ilda Toska*

Ishte tetor i vitit 1972 kur Fairchild Hiller FH-227D u rrëzua në Ande. Pasagjerët përfshinin anëtarë të ekipit të ragbit të Old Christians Club, si dhe miq dhe të afërm të atletëve. Nga 45 personat në bord, vetëm 16 i mbijetuan rrëzimit të avionit. Mbetjet e avionit u gjetën pas dy muajsh.

Incidenti tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare, veçanërisht pasi u zbulua se të mbijetuarit i ishin drejtuar kanibalizmit për të mbijetuar.

Historia tronditëse e atyre që mbijetuan u bë bazë për shumë libra dhe filma, përfshirë filmin "Alive", me protagonist Ethan Hawke.

Përplasja

Më 12 tetor 1972, skuadra e regbit të Old Christians Club, mori me qira një aeroplan të Forcave Ajrore Uruguaiane për të dërguar ekipin nga Montevideo, Uruguai në Santiago, Kili.

Për shkak të kushteve të këqija atmosferike, ata u detyruan të kalonin natën në Mendoza të Argjentinës, para se të niseshin të nesërmen. Rreth një orë pas ngritjes, piloti njoftoi kontrollorët e trafikut ajror se kishte arritur në Curico, Kili.

Por piloti e kishte llogaritur gabim. Avioni ishte ende në Ande. Të pavetëdijshëm për gabimin, kontrollorët dhanë leje për tu ulur. Menjëherë pas kësaj, kulla e kontrollit kilian do të humbiste kontaktin me aeroplanin.

Avioni kishte goditur një mal duke bërë që të humbiste fillimisht krahun e djathtë dhe më pas të majtin, përpara se të binte përfundimisht në një luginë të largët.

Menjëherë u nis një kërkim për avionin, por vendndodhja e gabuar e dhënë nga piloti dhe malet me borë e bënë të pamundur gjetjen. Pas tetë ditësh, kërkimet u ndërprenë, por më pas u bënë përpjekje nga familjarët e pasagjerëve.

Përplasja fillimisht vrau 12 persona, duke lënë 33 të mbijetuar, shumë prej të cilëve u plagosën. Piloti kishte gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa bashkë-piloti kishte mbetur i plagosur rëndë.

Siç u bë e ditur më vonë, ai i kërkoi një pasagjeri t’i gjente armën dhe ta qëllonte, por pasagjeri nuk pranoi. Dy studentë të mjekësisë vepruan shpejt dhe u përpoqën ta trajtonin sa më shumë të mundeshin.

Kanibalizmi dhe mbijetesa

Kushtet e mbijetesës ishin të vështira. Shumica e uruguaianëve nuk kishin parë kurrë borë më parë dhe për të përballuar temperaturat e ftohta, ata u grumbulluan brenda avionit, krah për krah.

Gjëja më e vështirë, megjithatë, ishte mungesa e ushqimit. Të mbijetuarit kishin në dispozicion sasi minimale ushqimesh, kryesisht çokollata dhe verë. Por ato mbaruan, të gjitha brenda një jave.

Uria i shtyu të mbijetuarit të hanin rripat e sigurimit dhe të kërkonin me dëshpërim ushqim në dëborë. Pas një diskutimi të gjatë, ata u drejtuan për të ngrënë kufomat e të afërmve dhe miqve të tyre.

Gjashtë njerëz të tjerë vdiqën nga vështirësitë në javët në vijim. Roberto Canessa, një nga të mbijetuarit, tha në një intervistë: "Duhej t’i hanim këto kufoma sepse mishi kishte proteina dhe yndyrë dhe ne kishim nevojë për to. Megjithatë, vendimi për ta pranuar këtë ishte vetëm një hap. Gjëja tjetër ishte ta bënim atë në të vërtetë. Dhe kjo ishte shumë e vështirë. Goja nuk dëshiron të hapet sepse ndjehesh shumë i mjerë dhe i trishtuar për atë që duhet të bëshm Shqetësimi im kryesor ishte se po shkelja mbi miqtë e mi, po cenoja dinjitetin e tyre duke pushtuar trupat e tyre. Por më pas mendova, nëse do të vdisja, do të ndihesha krenar që trupi im mund të përdorej për të mbijetuar të tjerët”.

Më 29 tetor, një ortek mbushi një pjesë të avionit me borë, duke shkaktuar tetë të tjerë të vdekur. Të mbijetuarit e mbetur dëgjuan nga një tranzistor se kërkimi për ta ishte ndërprerë. Më pas, një i ri sugjeroi që të fillonin vetë kërkimin e shpëtimit përmes ikjes nga aty. Më 12 dhjetor, tre pasagjerë nisën misionin.

Pas disa orësh ecjeje, ata gjetën disa rrënoja të avionit si dhe disa nga valixhet e tyre. Ata ia dolën të shpëtonin nga i ftohti duke bërë veshje gjumi të improvizuara. Pas nëntë ditësh udhëtim të vështirë, alpinistët vunë re tre barinj në një fshat. Më 22 dhjetor, 72 ditë pas rrëzimit, helikopterët u dërguan në vendin e rrëzimit dhe transportuan në spital me avion ë, të mbijetuarit e tjerë!

*Ilda Tosca studion në New Media Studies