Transmetuar më 01-09-2022, 09:17

Beograd- Nis sot në Beograd samiti i radhës i ‘Open Balkan’. Sot pritet të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime të ushqimeve. Kjo do të zhbllokojë tregtinë mes shteteve të Open Balkan.

Të pranishëm do të jenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski. Po ashtu, në takim do të marrin pjesë edhe zyrtarë nga Hungaria dhe Turqia.

Çfarë është arritur deri tani nga kjo nismë?

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës. Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari i vitit 2023. Po ashtu, është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku – pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.