Transmetuar më 31-08-2022, 21:59

Një tragjedi sa e dhimbshme aq dhe e papranueshme ajo që ka ndodhur sot në Itali, ku një vajzë e vogël shqiptare humbi jetën pasi struktura e lisharëses ku po luante u rrëzua fatalisht.

Ngjarja ndodhi sonte ora 18.00 në San Pelino, Avezzano, Abruzzo të Italisë, raporton noa.al.

Viktima është Alessia Prendi, 12 vjeçe. Ajo la dhimbje pa masë tek prindërit e saj Petrit dhe Eda dhe motra më e madhe.

Vogëlushja 12 vjeçe, bijë e një familjeje emigrantësh shqiptarë, po luante në lisharësen që ndodhet në këndin për fëmijët afër shtëpisë.

Në një moment, struktura e drunjtë që mbante lisharësen, u rrëzua bashkë me fëmijën duke e zënë poshtë. Në galeri po shikoni fotot në vendngjarje.

Një infermier që u ndodh rastësisht më vendngjarje, u përpoq ta shpëtonte të voglën por ajo edhe pse u dërgua me helikopter në spital, vdiq nga plagët e rënda.

Atje shkoi dhe kryebashkiaku Domenico Di Berardino.

Ndërsa prokurori Maurizio Maria Cerrato hapi një hetim, presidenti i rajonit Abruzzo, Marco Marsilio u shpreh i shqetësuar dhe tha se kjo ishte një ngjarje e papranueshme.

Ai, ashtu si dhe mediat italiane e konsideruan tragjedinë si një vdekje absurde dhe të papranueshme të fëmijës vetëm 12 vjeç dhe shtoi se vdekja e të miturës, "është e vështirë të shpjegohet dhe e papranueshme".

Kështu e konsiderojnë dhe qytetarët e thjeshtë në Itali. Në rrjetet sociale ata po vlojnë nga zemërimi duke bërë përgjegjës zyrtarët lokalë që kanë neglizhuar kontrollin e mjediseve dhe strukturave për fëmijët në mjediset e përbashkëta të banimit.

Në vendngjarje, banorët thanë se e ndjera ishte një vogëlushe rrezatuese dhe plot hare. Atë e donin të gjithë. Prindërit jetojnë prej vitesh dhe kanë edhe një vajzë më të madhe. /noa.al