Transmetuar më 31-08-2022, 07:35

Kriza ndikon në depozitat e shqiptarëve. Gjatë muajit korrik ritmet e rritjes së kursimeve janë ngadalësuar ndjeshëm në raport me dy vitet e mëparshme.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në fund të muajit korrik arriti në 1.24 trilionë lekë, duke rënë me 0.04 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm (-568 milionë lekë). Rënia vjen pas rritjes së ndjeshme muajin e mëparshëm (+11.1 miliardë lekë).

Nga shtatë muajt e parë të këtij viti, në tre prej tyre kursimet kanë pasur tendencë rënëse. Në krahasim me dhjetorin 2021, depozitat janë zgjeruar me 1.9 për qind. Një vit më parë për periudhën përkatëse rritja ishte gati 4%.

Rënia e kursimeve në lekë është një tregues indirekt se situata e krijuar në ekonomi nga çmimet e larta po shtrëngon buxhetet familjare, që po detyrohen të shpenzojnë më shumë për të jetuar.

Me pagat dhe të ardhurat që kanë mbetur pothuajse në vend, kjo po u krijon atyre më pak mundësi për të kursyer. Në korrik, inflacioni arriti në 7.5%, duke shënuar nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.

Në të kundërt, depozitat në valutë vijojnë të kenë tendencë pozitive, duke u rritur me 0.1% në korrik. Në raport me fundin e 2021-t, kursimet në monedhë të huaj, që janë kryesisht në euro janë zgjeruar me 5%, citon Monitor

Rritja është më e lartë, pasi raportimi nga Banka e Shqipërisë bëhet në lekë, ndërsa euro ka shënuar rënie të ndjehme këtë vit, ndaj monedhs vendase.