Transmetuar më 24-08-2022, 22:36

Pas Kupave të Botës në Brazil dhe Rusi, edhe kjo e Katarit që do të zhvillohet nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor të këtij viti, duket se do të jetë “Made in Cina”. Ndonëse Kombëtarja e saj nuk u kualifikua, Kina është më e pranishme se kurrë në Botërorin e Katarit. Duke filluar që nga stadiumi ikonik “Lusail”, ku do të luhet Finalja dhe 9 ndeshje të tjera, te 1.500 autobusët që do transportojnë zyrtarë e qeveritarë, anëtarë të komitetit organizativ, media dhe tifozë, deri te flamujt e Kupës së Botës, veshjet, shallet e suveniret e tjera… Të gjitha mbajnë siglën “Prodhuar në Kinë” ose “Ndërtuar nga Kina”.

Stadiumi me 80 mijë vende ‘Lusail’ që sapo ka përfunduar, është aktualisht stadiumi më i avancuar, më i madh dhe më kompleks i futbollit në botë. Ai u ndërtua tërësisht nga Korporata e Ndërtimit të Hekurudhave e Kinës, duke u bërë projekti i parë i një stadiumi të Kupës së Botës i ndërmarrë nga një sipërmarrje kineze si kontraktore e përgjithshme për projektimin dhe ndërtimin, duke thyer monopolin e Perëndimit në këtë sektor.

Sipas Grupit Mediatik të Kinës (CMG), gjatë ndërtimit të këtij stadiumi janë krijuar një sërë rekordesh, duke e bërë atë ndërtesën më të madhe me një çati me rrjet kabllor me dy shtresa në botë dhe ndërtuar me aplikimin e parë të thelluar në botë të teknologjisë së Modelimit të Informacionit të Ndërtesave.

Lusail ishte një qytet fantazmë para nisjes së punimeve nga kompania kineze, ndërsa tashmë pritet të ketë një popullsi me të paktën 250 mijë banorë, duke synuar të bëhet destinacioni i ri turistik i Gadishullit Arabik si Dubai dhe Abu Dhabi.

Në sajë edhe të stadiumit imponues, qyteti që u krijua në shkretëtirë në një kohë rekord, sot është më i madh se Xhenova e Bolonja së bashku.

Ndërmarrjet kineze kanë marrë pjesë gjithashtu edhe në ndërtimin e disa prej 8 stadiumeve të tjera të Kupës së Botës në Katar.

Por brenda dhe jashtë fushave të futbollit, “kontributi i Kinës” për Kupën e Botës, ka lënë gjurmë edhe në rrjetin e ri nëntokësor prej 75 kilometrash, autostradat, aeroportet, hotelet, apo ndërtesat e gjeneratës së re, të ndërtuara së fundmi në Katar.

Edhe në fushën e transportit, ishte kompania kineze “Yutong” ajo që fitoi ofertën për projektin e automjeteve të shërbimit të Kupës së Botës. Katari do të importojë plot 1.500 autobusë nga Kina, rreth 900 prej të cilëve elektrikë. Në përgjigje të temperaturës së lartë dhe mjedisit të stuhive të rërës në Katar, kompania “Yutong” ka zhvilluar dhe optimizuar posaçërisht modele të përshtatshme, duke krijuar dizajne kondicionerësh dhe baterish që mund të përshtaten plotësisht me kushtet e shkretëtirës.

Ndonëse nuk mori pjesë, edhe në Botërorin e 2018-ës, Kina kishte lënë gjurmët e saj. Mbi 100 mijë kinezë kishin udhëtuar në Rusi me këtë rast, ndërsa 40 mijë prej tyre i ndoqën ndeshjet nga shkallët e stadiumit. Kina u konfirmua si kampione mes kombeve më të pranishme në tribuna, pavarësisht mungesës së kombëtares së tyre në garë.

Ndërsa në Botërorin e Brazilit në vitin 2014, Kina ishte absolutisht personazhi kryesor. Adidas Brazuca, topi zyrtar i kampionatit, u krijua nga një kompani në Shenzhen, “Forward Sport”. Madje “Made in China” ishte edhe vetë trofeu i artë i Kupës së Botës, prodhuar nga Dongguan Wagon Giftware Co Ltd.

Ndërsa kompania kineze, Yingli Green Energy Holding, furnizoi 27 struktura me panele diellore për të ndriçuar stadiumet. Trenat elektrikë me shumë njësi (EMU) që lidhën stadiumet me zonat e ndryshme urbane, ishin gjithashtu kineze. Edhe vetë maskota e Botërorit u prodhua nga Kayford Holding, në provincën Jiangsu. Në atë kohë mediat kineze shkruanin me të drejtë se “Kina ka fituar kampionatin botëror".

Por pasi i ka “fituar” tre Botërorët e fundit, tashmë Kinës i mbetet të provojë triumfin edhe në tapetin e gjelbërt. Edhe pse ndër sportet jo shumë të preferuara në Kinë, shumë shpejt nuk është çudi që edhe futbolli të mund të arrijë majat.

Ende pa kaluar një dekadë nga shpallja e objektivave, numri i fushave të futbollit në të gjithë vendin, është rritur nga 11.000 në 70.000, ndërsa 50 milionë kinezë, përfshirë 30 milionë studentë, luajnë rregullisht futboll.

Deri në vitin 2025 priten të hapen rreth 50 mijë shkolla futbolli, të cilat pritet të prodhojnë gati 100 mijë futbollistë të denjë për të veshur fanelën e ekipit të tyre kombëtar. Rruga e Kinës drejt futbollit duket se sapo ka nisur. Të parat që po provojnë suksesin janë femrat, që këtë vit sapo u shpallën kampionë të Azisë, ndërsa siguruan edhe kualifikimin për në Botërorin e 2023-it. (CRI)