Transmetuar më 24-08-2022, 01:39

Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar shumë herë se familjarët nuk do të paguajnë rritjen e çmimit të energjisë. Ai e justifikoi me këtë fakt, mungesën e ndihmës së shtetit ndaj qytetarëve dhe bizneseve, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, kur çdo shtet tjetër rinisi ndihmat ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Por ministrja e tij Balluku njoftoi se nga 1 tetori synohet të ketë rritje çmimi përmes rikthimit të faturimit me dy fasha.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një intervistë në TV Klan, deklaroi se qeveria synon që duke nisur nga data 1 tetor 2022 do të vendoset si tavan fasha prej 800 kilovat/orë.

Pas kësaj fashe, të gjithë abonentët familjarë do të detyrohen të paguajnë çmime të frikshme të energjisë që aktualisht ka arritur në 616 euro për megavat ose dhjetë herë më shtrenjtë se disa muaj më parë.

Në këtë mënyrë, qeveria e Ramës rikthen tarifimin me dy fasha, një procedurë që Rama e kishte sulmuar ashpër kur erdhi në pushtet më 2013 dhe kishte deklaruar se në Shqipëri do të kishte vetëm një çmim unik shitjeje të energjisë për abonentët familjarë.

Balluku paralajmëroi se çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë ndryshon sepse mbi 800 kW do të faturohen me vlerën e tregut.

“Fasha mbi 800 kW do të fillojë të konsiderohet me çmimin e tregut. Zbatimi, synimi ynë është që të fillojë më 1 tetor”, deklaroi zëvendëskryeministrja Balluku.

Sidomos në periudhën e dimrit, rritet shumë harxhimi i energjisë elektrike në familjet shqiptare duke tejkaluar nga nëntori në prill, sasinë 800 kilovat/orë. Kjo shkaktohet nga fakti se asnjë qeveri nuk punoi për të ofruar mundësi alternative për ngrohje, gatim, larje, etj., duke bërë që shqiptarët të përdorin për thuajse çdo gjë, vetëm korrentin. /noa.al